Lajme

Gjashtë kushtet e Kurtit janë zero kushte për themelimin e Asociacionit – një dekonstruktim i thjeshtë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar këtë të enjte në Parlamentin e Kosovës 6 kushte në mënyrë që ai të fillojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas anëtarëve të partisë së Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, kushtet e kryeministrit janë të dizajnuara në atë formë që të mos pranohen, rrjedhimisht Asociacioni nuk do themelohet.

Lënë anash që Kurti edhe far vonë e ka thënë që Kosovës nuk i duhet as njohja nga Serbia nëse themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duke marrë shembull Bosnjën dhe Hercegovinën të cilën Serbia e njeh por e paralizon përmes Republikës Serbe, më poshtë gjeni shpjegimin se çfarë ka thënë Kurti, kur ka thënë ‘kam 6 kushte’.

Kushti i parë

Albin Kurti: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Shpjegimi: Ky nuk është kusht i ri, madje Asociacion jashtë Kushtetutës së Kosovës nuk kërkon askush, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës që duan më ngulm fillimin e themelimit të Asociacionit.

Për më tepër, në Marrëveshjen e vitit 2015 për Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore e nënshkruar nga ish-kryeministri, Isa Mustafa, në pikën 2 të saj thuhet qartësisht se Asociacioni duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të Kosovës.

Citim nga marrëveshja: “2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të miratojë një dekret të aplikueshëm drejtpërdrejtë, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

Kushti i dytë

Albin Kurti: Asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik…

Shpjegimi: Ky kusht përbën përsëritje dhe inflacion të panevojshëm. Kur ke thënë duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, ke thënë automatikisht që s’mund të jetë mono-etnik, sepse Kushtetuta e Kosovës e kornizën Kosovën si shtet multi-etnik. Më shumë se kusht i dytë, është fjali e zgjatuar nga ajo që është quajtur kusht i parë.

Kushti i tretë

Albin Kurti: Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

Shpjegim: Kosova nuk e ka pasur asnjëherë të ndaluar të kërkojë reciprocitet për të drejta sa i përket shqiptarëve në Luginën e Preshevës. E çuditshme është se si nuk e kanë bërë deri tani, kur Qeveria Kurti ka dy vjet që dialogun në Bruksel.

Siç e shpjegon edhe Miroslav Lajçak, ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun në një emision me 28 qershor 2022 për gazetaren Jeta Xharra, pala kosovare do të mund ta bënte këtë kërkesë, por nuk e ka bërë asnjëherë.

Ja biseda e plotë për këtë çështje mes Lajçakut dhe gazetares:

Lajçak: Çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë temë e dialogut. Nëse Kosova dëshiron ta bëjë pjesë të dialogut atëherë mund ta propozoni dhe nëse Serbia pajtohet mund të bëhet pjesë. Ju vendosni se çfarë është në agjendë jo unë. Unë nuk iu sforcojë në asgjë, unë besoj sinqerisht se ju dëshironi t’i normalizoni raportet dhe unë jam këtu vetëm për të ndihmuar.

Xhara: Por, qeveria e Kosovës ka shprehur ambiciet e saj për ta bërë pjesë të agjendës?

Lajçak: Asnjëherë nuk është propozuar zyrtarisht apo formalisht.

Xhara: Kurrë nuk është prezantuar formalisht?

Lajçak: Jo.

Pra, krejt çfarë duhet të bëjë ekipi negociator i Kosovë është ta propozojë si temë. S’paraqet kurrfarë problemi.

Kushti i katërt

Albin Kurti: Para vendosjes së Asociacionit strukturat ilegale të Serbisë në Veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

Shpjegim: Të kërkosh luftimin e krimit/bandave brenda shtetit tënd nga një shtet tjetër është marrëzi politike. Për luftimin e krimit në Kosovë është e thirrur Policia e Kosovës si forcë zyrtare për rend dhe ligj. Gjithsesi, kjo çfarë po kërkohet këtu veçse ka ndodhë me Marrëveshjen e vitit 2013. Pikat 7, 8, 9, 10, 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 merren specifikisht me shuarjen e strukturave paralele dhe integrimin e tyre në sistemin e Kosovës, duke filluar nga policia, sistemi i drejtësisë etj.

Disa e konsiderojnë se serbët janë inkuadruar në sistem vetëm formalisht dhe jo përmbajtësisht, por emocionin subjektiv individual të personit për raportin e tij me punën që bën brenda uniformës nuk mund ta përcaktojë askush, aq më pak të përcaktohet me marrëveshje mes shtetesh.

Kushti i pestë:

Albin Kurti: Asociacioni është pjesë e Marrëveshjes Finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me republikën e Kosovës.

Shpjegim: Për disa kjo do të duhej të ishte pika më problematike dhe “kushti” që e bën të pamundur fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, në fakt ky është kushti më i lehtë.

Vëmendje: Kurti thotë “njohje” dhe nuk shton “de fakto” apo “de jure”. Çfarë mendon ai në këtë rast me njohje është ajo që parashihet në Marrëveshjen Bazë të dalur nga Propozimi Evropian.

Siç ju kujtohet, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë për RTV Dukagjinin, thotë se marrëveshja përbën njohje de fakto të shtetit të Kosovës nga Serbia. Konjufca me 8 nëntor thoshte: “Aty është neni 2. Neni 2 i kësaj marrëveshje është thelbi i kësaj marrëveshje. Ndërtohet mbi tri principe: E drejta e barabartë mes shteteve, respektimi i sovranitetit reciprok dhe është e drejta e palëve për vetëvendosje”. Pra, Kurti e ka fjalën për këtë lloj njohje të cilën e ka theksuar edhe më parë Konjufca dhe çfarë e bënë të qartë krejtësisht atë që thotë Kurti është pjesa e dytë e fjalisë.

“…vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara…”, është fjalia e Kurtit, çështje që është e përfshirë saktësisht në Nenin 2 të Marrëveshjes Bazë në draftin e fundit të rrjedhur në media, publikuar për herë të parë në Gazetën Danas.

Ja çfarë thuhet aty: “Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Kushti gjashtë

Albin Kurti: Presidenti i Serbisë i tërheqë letrat e dërguara te 5 shtetet anëtare të BE-së dhe të tjerat për mos-pranimin e aplikimit të Kosovës në BE…

Shpjegim: Ky as nuk është kusht, as nuk është i ri. Kjo është çështje e kryer me Marrëveshjen e vitit 2013. Pika 14 e kësaj marrëveshje thotë: “Palët janë pajtuar që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët që të bllokojnë palën tjetër në rrugën drejtë BE-së”.

Gjithashtu, në draftin e fundit të Marrëveshjes Bazë në nenin 4, në pjesën e fundit thuhet: “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Shpjegim shtesë:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vazhduar diskutimet dhe nënshkrimin eventual të Marrëveshjes Bazë asnjëherë nuk kanë thënë se duhet të fillojë punën Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, por thjesht duhet të shohin iniciativën fillestare, nisjen e të punuarit në atë drejtim dhe një ‘po’ në parim.

Prandaj edhe Kurti në kushtin e katërt përmend fjalinë “Para vendosjes së Asociacionit” dhe jo “para nisjes së themelimit të Asociacionit”.

Pse i bën Kurti gjithë këto fizkultura?

Sepse pranimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kapërcimi më i madh që është parë ndonjëherë nga ndonjë politikan në Kosovë. Ai e ka shumë të rëndësishme që të mos duket se ka pranuar atë që ka thënë se s’do ta pranojë, përkundër se i duhet ta pranojë.

Ose, siç thoshte një mbrojtës i tij publik dhe ish këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, kryeministri nuk e nënshkruan këtë marrëveshje sepse “kjo osht me i mshu shkelm ai krejt karrierës së vet çerekshekulli, 25 vjet. Nuk e bon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore