Lajme

Lajçak pret dakoradancë për dinarin javën tjetër – Kosova dhe Serbia vazhdojnë me akuza për njëra-tjetrën


Foto: Albanian Post

Maratona e takimeve për çështjen e dinarit ka përfunduar pa marrëveshje këtë të hënë mes Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç në Bruksel.

Pas takimit, Bislimi theksoi se dallimet janë të mëdha dhe kërkohet një takim shtesë, ndërkaq Petkoviç, kritikoi Prishtinën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe kërkoi që që serbët t’i marrin paratë nga Banka Postare e Serbisë.

“U pa që ka një dallim të madh të propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhje apo jo”, tha Bislimi para gazetareve.

Ndërkaq siç ndodh zakonisht, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, ka akuzuar palën kosovare se nuk është e gatshme për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

“Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Unë jam i shqetësuar për pozitën dhe ardhmërinë e popullit serb në Kosovë dhe kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, potencoi Petkoviç.

Megjithatë, Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, ka thënë se pret që javën tjetër të gjendet një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Ai ka treguar se ryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme.

“Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme. Javën e ardhshme ne ramë dakord të mblidhemi sërish me ambicien për të gjetur një zgjidhje”, shkroi ai në platformën X.

Takimet e kësaj të hënë ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit në kutinë postare të Lajçakut për të zgjidhur krizën rreth dinarit.

Ky është darkordimi i vetëm që u arrit të martën (19 mars) në takimin që kryenegociatorët e të dy vendeve – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

BQK-ja njoftoi se rregullorja e re do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është koordinuar me ta për çështjen e dinarit, madje kanë thënë se ky vendim ka cenuar raportet në mes të dy shteteve respektive.

“Javën e ardhshme do shihemi sërish – me ambicien të gjejmë një zgjidhje”, Lajçak pas takimit me Bislimin e Petkoviçin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore