Lajme

Bislimi: Kemi dy propozime, por ka nevojë për një takim shtesë për dinarin


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“U pa që ka një dallim të madh të propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës”.

Kështu tha kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi para gazetarëve pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç – dhe Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak në Bruksel ku u diskutua për çështjen e dinarit.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”, potencoi Bislimi.

Tutje, Bislimi ka shtuar se një takim i radhës mes kryenegociatorëve mund të mbahet gjatë javës së ardhshme.

“Jemi dakorduar që të provohet edhe një takim gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkovic, ende nuk është deklaruar për media pas përfundimit të rundit të dialogut.

Takimet e kësaj të hëne ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.

Ndryshe nga herët e kaluara, Lajçaku kaloi direkt në takim trepalësh, pa pasur nevojë për takime të veçanta veç-e-veç për shkak të temës.

Në takimin e fundit kryenegociatorët diskutua mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore, nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit.

Ndërkaq palët ishin dakorduar që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është koordinuar me ta për çështjen e dinarit, madje kanë thënë se ky vendim ka cenuar raportet në mes të dy shteteve respektive.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

BQK-ja njoftoi se rregullorja e re do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore