Kosova

Lajçak nga Selaniku: Të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

I dërguar special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka theksuar gjatë Samitit të Selanikut edhe një herë rëndësinë që BE të heqë vizat për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, ka sqaruar edhe nevojën e nisjes së bisedimeve mes BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Për mua pyetja nuk është nëse duhet, por kur dhe si hap të parë do të rekomandojë të nisin bisedimet pa shtyrje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim Bashkimi Evropian– Kosovë, ku ka marr pjesë edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, bllokimin e vendimit për hapjen e negociatave ndërinstitucionale për arritjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Këshilli Evropian e ka konsideruar si të pa drejtë dhe vendim dritëshkurtër.

Ndërkaq, më 23 shkurt, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon kishte thënë sa i përket Komisionit Evropian, brenda këtij institucioni të Bashkimit Evropian gjërat janë të qarta – “Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim”.

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak ka komentuar edhe situatën e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, ku u shpreh se dorëheqja e kryeministrit Zaev është për shkak se BE nuk arriti ta përmbush premtimin e dhënë.

“Kryeministri Zaev i humbi zgjedhjet për shkak se nuk ka mundur ta përmbushë premtimin e tij për fillim të bisedimeve me Bashkimin Evropian, ndërsa premtimin e tij nuk e përmbushi jo për shkak se nuk kishte kryer pjesën e tij, por për shkak se ne, Bashkimi Evropian, nuk kemi mundur ta përmbushim pjesën tonë”.

Sipas Lajçak, shkaku i kësaj humbën një partnerë që qëndronte besnik ndaj idesë evropiane.

“Si pasojë e kësaj, humbën një partner i cili ishte besnik ndaj idesë evropiane, konstruktiv dhe i përkushtuar, një nga partnerët më të mirë në rajon. Për mua është sinjal i qartë se rajoni nuk ka kohë për ta në pritur dhe është koha që Bashkimi Evropian të veprojë për shkak se do të humbin më shumë partnerë evropianë”, është shprehur ndër të tjera Lajçak.

Samiti i Selanikut mblodhi ekspertë prominentë të politikës së rajonit dhe botës, pjesë e panelit diskutues ishte edhe i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore