Lajme

Parlamenti Evropian pritet ta votojë raportin për Kosovën


“Sot do të votojmë në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Raportin për Kosovën, që unë e kam negociuar të emër të Grupin EEP. Ne kemi përfshirë mesazhe të forta mbi liberalizimin e vizave, njohjen, dialogun Kosovë-Serbi dhe perspektivat për të rinjtë në dixhitalizimin dhe fusha të tjera”, ka shkruar në Twitter, eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

Mandl ka shkruar se pos dy temave të lartcekura, do të diskutohet edhe perspektivat për të rinjtë në digjitalizim dhe në fusha të tjera.

Kosova ka përmbushur shumicën e kritereve të vendosura nga BE-ja për të fituar liberalizimin e vizave.

Ndërkohë, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se planifikon të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën. Në një intervistë për European Western Balkans, tri ditë më parë deklaroi se pret që dialogu të vazhdojë sapo të formohet Qeveria e Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë punën tonë, por shpejtësia e arritjes së një marrëveshjeje është në duart e palëve. Ne nuk diktojmë shpejtësinë, nëse ata janë të gatshëm të takohen në Bruksel çdo javë, ne jemi të gatshëm t’i takojmë ata çdo javë Nëse ata janë gati të takohen një herë në tre muaj, atëherë ne nuk mund t’i detyrojmë ata”, pati thënë Lajçak.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në një intervistë për Albanian Post para disa dite tha se “Franca është vendi më i pabindur”, prandaj “është e rëndësishme të bindet qeveria franceze se Kosova është e gatshme për liberalizim të vizave”.

Ndryshe nga Franca, sa i përket Komisionit Evropian, Von Cramon pohoi se brenda këtij institucioni të Bashkimit Evropian gjërat janë të qarta – “Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore