Lajme

Lajçak i thotë gazetës sllovake se “Serbia respektoi Marrëveshjen e Brukselit, Kosova jo”


Me marrëveshjen e vitit 2013 Serbia duhej të shuante strukturat paralele dhe Kosova ta formonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Pjesa e parë e marrëveshjes u bë, e dyta jo”, ka thënë Miroslav Lajçak, në një intervistë për të përditshmen sllovake Denník N, i pyetur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimet e fundit në këtë drejtim.

“Nuk dua të shkoj në të kaluarën dhe të vlerësoj pse ndodhi. Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të Asociacionit. Do të prezantohet drafti i statutit të tij, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, shtoi ai.

Ai e ka pranuar se e ka të qartë se themelimi i Asociacionit është “temë e ndjeshme” në Kosovës, derisa ka shtuar se “ne do t’i përmbahemi modeleve ekzistuese evropiane”.

“Qëllimi është përcaktimi i statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe të pakicës serbe në Kosovë. Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës. Është një temë e ndjeshme, flitet shumë për të, por për mua është e rëndësishme që më në fund të fillojmë të përcaktojmë se çfarë do të thotë Asociacioni, cili do të jetë statusi i tij, cilat do të jenë kompetencat e tij”.

Por, sipas tij edhe pse Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel, “marrëdhëniet sot nuk janë normale”.

Megjithatë, diplomati sllovak ka theksuar se pas arritjes së kësaj dakordance i kanë “paraprirë shumë nga vizitat e mia në rajon dhe një takim më 27 shkurt në Bruksel, ku është rënë dakord për një dokument të quajtur ‘Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’.

“Qëllimi kryesor i takimit në Ohër ishte arritja e marrëveshjes për zbatimin. Ky proces kulmoi dhe sot jemi në një lojë tjetër. Dialogu ka arritur një nivel më të lartë”.

“Nuk do ta fsheh faktin se fillimisht u përpoqëm të biem dakord për një aneks më ambicioz të zbatimit, i cili do të ishte më i detajuar dhe më i lehtë për t’u kontrolluar. Megjithatë, të gjitha parimet kryesore janë në dokumentin e rënë dakord”.

Kur pyetet nëse kombësia e tij ka luajtur ndonjë rol në këtë proces, meqë Sllovakia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, ai e mohon, potencon se është “ndërmjetësues i ndershëm”.

“Kur u emërova në pozicionin tim aktual në mars të vitit 2020, çështja e kombësisë u ngrit aty-këtu. Megjithatë, nëse përfaqësoni Bashkimin Evropian, ju përfaqësoni BE-në dhe jo një vend të caktuar anëtar. Dhe së dyti, jam tashmë në vitin e katërt të mandatit tim dhe kam dhjetëra vizita në rajon dhe qindra orë negociata me aktorë, ndaj mendoj se sot nuk ka dyshim se synimi im është të jem një ndërmjetës i ndershëm që përpiqet t’i ndihmojë ata të normalizojnë marrëdhëniet e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore