Kosova

Lajçak diskuton me bllokun e superfuqive evropiane situatën në veri


Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar janë takuar me këshilltarët diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Diplomati sllovak ka shkruar në platformën X se temë kryesore ka qenë situata në Veri të Kosovës ku të dielën u vra togeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku nga disa terroristë që u futen nga Serbia në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Konsultime intensive dhe shumë thelbësore me kryekëshilltarët diplomatikë Bonne, Plotner, Talo dhe Escobar. Diskutuam hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe situatën në veri të Kosovës. Faleminderit për mbështetjen e plotë”, ka shkruar Lajçak.

Ndërkaq gjatë ditës sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Italia dhe Gjermania.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiç-it, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas ministrit, kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiç-it, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën.

“Organizimi terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beograd. Nga ekspertë vendor dhe të huaj është vërtetuar se për sasi armatimi dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka të bëjë asgjë me një organizim ad-hoc, të shpejtë dhe të ditëve të fundit”, tha ai.

Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore