Lajme

Lajçak: Dialogu Kosovë – Serbi nuk është teknik


Miroslav Lajçak, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në tryezën e organizuar nga European Policy Centre, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk është teknik, pasi çdo gjë në dialog është shumë politike.

Ai, madje mendon se nuk ka alternativë tjetër përpos normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, duke shtuar se palët negociuese duhet të dëshmojnë se janë të gatshme për marrëveshje e për integrim në BE.

“Dua të them se nuk ka asgjë si dialog teknik, nuk ka çështje teknike çdo gjë është shumë politike. Dëgjova kryenegociatorët në Bruksel, diskutuam për shumë orë gjatë dy ditëve, nuk kishte asnjë gjë teknike, çdo gjë ka ndikim politik. Dialogu është politik”, ka thënë Lajçak.

Diplomati sllovak ka treguar edhe për vizitën që do ta ketë në Kosovë e Serbi këtë javë.

“Do të udhëtojë në mëngjes të mërkurën, tri ditë do të jem në Kosovë, si pjesë e programit, do të takohem me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, me përfaqësues të partive politike. Më pas do të vazhdojë vizitën në Beograd. Është pjesë e vizitave të mia të rregullta në rajon, diskutime me liderë si të shtyjmë procesin para”, ka theksuar ai.

Lajçak, pas takimit trepalësh në kuadër të dialogut, ku morën pjesë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyra serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, kishte deklaruar se pozicionet e palës kosovare dhe asaj serbe në disa çështje ende mbesin larg.

Tryeza e organizuar nga European Policy Centre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore