Lajme

Lajçak – bashkë me këshilltarët e Macron e Scholz – takim edhe me Vuçiç’in


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohet, të premten e 9 shtatorit me të dërgruarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajcak, i shoqëruar nga dy top diplomatët, Emmanuel Bonne, këshilltari kryesor i presidentit francez, Emanuel Macron dhe Jens Plotner, me pozitë të njejtë pranë kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në të njëjtën ditë kur do ta takojnë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Udhëtimin për në Prishtinë për këtë të premte të Lajçak-ut me dy këshilltarët, e ka konfirmuar për Albanian Post edhe Qeveria e Gjermanisë, ditë më parë.

Kush janë Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner?

Bonne është emër me peshë në diplomacinë franceze. Ai është diplomat karriere që shërben si këshilltar i presidentit nga viti 2019.

Bonne dhe sekretari amerikan i politikes se jashtme, Antony Blinken

Gjatë kësaj kohe, ai është angazhuar në shumë role nga Macron. Është njeriu kryesor i Francës për Samitin e G7-tës në hartimin e Planit të Përbashkët për Veprim. Është i angazhuar në Nord Stream 2 dhe në paktin AUKUS (Pakti trepalësh) dhe gjithashtu njeriu kryesor në çështjet bilaterale me partnerët kryesorë të Francës.

Para se të vinte këshilltar te Macron, Bonne për dy vjet shërbeu si drejtor i kabinetit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme (2017-19).

Ai në këtë pozitë vinte nga shërbimi si ambasador në Libi. Por, pozitat e rëndësishme të tij në diplomacinë franceze fillojnë qysh nga viti 2000, kur ishte i angazhuar në Administratën Qendrore për rajonet e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme.

Bonne në diplomaci vinte nga akademia, ku si shkencëtar politik ishte i specializuar në çështje të Lindjes së Mesme.

I shkolluar dhe diplomuar në Institutin për Shkenca Politike në Grenoble, Bonne ka punuar një kohë të gjatë dhe në institute të shkencave politike.

Jens Plotner

Plotner ka rrugëtim shumë të ngjashëm me Bonne, përveç se ky ka dhe një ngjyrim prej ushtaraku. Ai ka karrierë të gjatë si diplomat, dhe është këshilltar për politikën e jashtme dhe të sigurisë i kancelarit Olaf Scholz që nga dhjetori 2021.

Para kësaj pozite, nga prilli 2019 deri në dhjetor 2021 ka qenë Drejtor Politik në Ministrinë e Jashtme Federale.

Në vitin 1994 hyri në shërbimin e jashtëm dhe, pasi kreu trajnimin për atashe në vitin 1996, u bë zv/drejtues zyre pranë Ministrit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Më pas kishte punuar në Departamentin Politik të Ambasadës në Izrael nga viti 1998 deri në vitin 2002 përpara se të bëhej zëdhënës për Lindjen e Mesme dhe Çështjet e Kombeve të Bashkuara në Zyrën Federale të Jashtme deri në vitin 2005.

Pas kësaj, ai ishte së pari zëvendës zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale dhe më pas nga viti 2007 deri në 2008 zëvendësdrejtor i zyrës ministrore të Frank-Ëalter Steinmeier.

Nga viti 2009 deri në vitin 2012, Jens Plotner ishte ambasador në Shri Lanka, i bashkëakredituar në Maldive. Nga qershori 2012 deri në 2014, Plotner ishte ambasador në Tunizi, duke pasuar Horst-Wolfram Kerll, i cili kishte dalë në pension.

Nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka qenë Shef i Zyrës së Ministrit në Ministrinë e Jashtme Federale (përsëri nën ministrin e Jashtëm Steinmeier). Nga korriku 2017 deri në mars 2019, Plotner ishte ambasador në Greqi.

Në prill 2019, u emërua Drejtor Politik i Ministrisë së Jashtme Federale, duke e bërë atë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ministrit të Jashtëm Heiko Maas.

Pasi kishte kryer shërbimin ushtarak në Bundesver, Plotner studioi fillimisht Drejtësinë, dhe më pas u specializua në të Drejtën Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare. Studimet i ka të kryere në disa universitete si ai i Hamburgut, Bordos dhe Sorbones. Kurse shkencat politike i ka të përfunduara në Institutin për politika në Paris.

Angazhimi i këtyre dy kolosëve të diplomacisë vjen pas përplasjeve të fundit në veri dhe paralajmërimeve për përshkallëzim të situatës. Macron e Scholz ngjajnë më të angazhuar se asnjëherë, për një zgjidhje finale, të cilën e shohin përmes dialogut në Bruksel, porse angazhimin e nënkuptojnë përtej tij.

Ndryshe, treshja e diplomatëve evropianë pritet ta vizitojnë edhe Kosovën ku do të takohen me Kryeministrin Albin Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore