Lajme

Lajçak, ambasador në Zvicër – Stano thotë se “s’i komentojmë spekulimet e mediave”


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk e ka mohuar e as pohuar raportimet se i deleguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në shtator të këtij viti do të emërohet ambasador i Bllokut në Zvicër.

Duke potencuar se “BE-ja nuk përfshihet në thashetheme dhe nuk komenton spekulimet”, Stano në një përgjigje për Albanian Post ka theksuar se emërimi i një Ambasadori nga BE-ja është proces i “brendshëm dhe jo publik” i bllokut.

“Procedura e vendosur për emërimin e Ambasadorëve parashikon që pas miratimit të emrit/emrave nga Kolegji (Komisioni Evropian – Kolegji i Komisionerëve), Përfaqësuesi i Lartë, në cilësinë e Autoritetit Emërues, do të marrë vendimet e tij për emërimet konkrete”, ka thënë ai.

Stano ndërsa ka shpjeguar për Albanian Post procesin e emërimit të një ambasadori ka nënvizuar faktin se “secili Ambasador i emëruar i BE-së do të duhet të marrë miratimin e vendit pritës si parakusht për avancimin e procedurës”.

“Vetëm pasi të përfundojë e gjithë kjo procedurë do të shpallim emrat dhe emërimet”, tha Stano për AP.

Radio Evropa e Lirë, të premten, raportoi se diplomati sllovak pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

Duke cituar burime diplomatike, REL, potencoi se Lajçak do të nis mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.

Lajçak për 4 vjet mban pozitën e të deleguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Ndërsa mandati i tij pritet të përfundojë në fund të gushtit të këtij viti.

Politikani pro-rus fiton zgjedhjet dhe Lajçak mund të bëhet ministër i jashtëm i tij

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore