Lajme

Politikani pro-rus fiton zgjedhjet dhe Lajçak mund të bëhet ministër i jashtëm i tij


Miroslav Lajcak dhe Robert Fico

Brenda Bashkimit Evropian me shumë gjasë do të ketë edhe një shtet që nuk ndjehet armiqësor me Vladimir Putin-in dhe madje e konsideron aleat.

Në Sllovaki i ka fituar zgjedhjet një politikan pro-rus dhe diplomati i njohur për shqiptarët në Kosovë, Miroslav Lajçak, mund të rikthehet si Ministër i Jashtë i kësaj qeverie.

“Gjejeni kush u kthye”, shkroi Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, në një cicërim lumturie, duke uruar për fitore në zgjedhje, Robert Fico-n, ish-kryeministër i Sllovakisë në dy mandate, i cili humbi pushtetin në vitin 2018 pas vrasjes së një gazetari që po hetonte një rast të korrupsionit të lartë.

Vrasja e tij kishte çuar në protesta masive dhe Fico ra nga pushteti.

Tani ai me shumë mundësi do ta udhëheqë vendin e tij prapë.

Partia “Smer” e Fico-s ka fituar 23 për qind të votave, duke dal e parë në zgjedhjet e 30 shtatorit.

Ky rezultat e vë atë në pozitë favorite për ta formuar qeverinë e re.

Robert Fico

Me siguri do t’i duhet të bëjë koalicion me një parti që dikur u nda nga kjo që ai udhëheqë dhe një tjetër që i takon ekstremit të djathtë, lideri i të cilës prej kohësh ka qenë mbështetës i Rusisë dhe Vladimir Putin.

Sipas një artikulli në The Economist, tash që Fico ka fituar, ka mundësi që ta vendos si Ministër të Punëve të Jashtme, Miroslav Lajçak-un, ish-ministrin e tij, që aktualisht është i angazhuar si përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi.

Një ide të tillë e ka thënë edhe gazetari zviceran Stephan Israel.

Në rrjetin social X, gazetari i Tages-Anzeiger, shkruan nëse “përfaqësuesi i pafat special i Josep Borrell-it do të kthehet në Bratisllavë si ministër i jashtë i Fico-s?”.

Lajçak-u nuk është anëtar i partisë fituese “Smer”, por njeri i afërt me Fico-n dhe ka shërbyer më parë nën qeverisjen e tij.

“Lajçak mund të jetë i dobishëm për Fico-n, si figurë korrektive për të qetësuar partnerët evropianë të Slovakisë”, të cilët mund të kenë dyshimet e tyre për rrugëtimin e partnerit sllovak.

Fico konsiderohet gjerësisht si politikan pro-Putin’it dhe fitorja e tij do të paraqes sfidë për unitetin në BE dhe NATO në raport me luftën në Ukrainë.

Në fjalimin e tij të fitores, Fico tha se “do të bëj gjithçka” në fuqinë e tij për të filluar bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Më shumë vrasje nuk do të ndihmojnë askënd”, tha Fico.

Në anën tjetër, Fico ka bërë me dije se do të kërkojë ndalje të menjëhershme të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe ka premtuar se do të bllokojë ambiciet e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore