Sport

La Liga, gjithçka vendoset në javën e fundit


Real Madrid-i ishte shumë afër kreut derisa në skenë u ngjit Luis Suarez. Në një pasdite të çmendur, La Liga ofroi gjithçka.

Eibar ra nga kategoria, Barcelona humbi për të zyrtarizuar largimin nga gara për titull, Villarreal shokoi Sevilla-n dhe dy skuadrat e Madrid-it dhuruan emocione të jashtëzakonshme.

Humbja 4-1 që Eibar e pësoi përballë Valencia-s, i rrëzoi zyrtarisht nga kategoria.

Në luftë mbeten Huesca, Elche dhe Valladolid.

Barcelona, e eklipsuar nga ndeshjet e dy ekipeve të Madrid-it, humbi brenda në “Camp Nou”.

Katalunasit lëshuan avantazhin prej 1-0, duke humbur 1-2 në fund.

Villarreal-i shokoi Sevilla-n, duke e mundur 4-0.

Carlos Bacca shënoi hat-trick dhe Moreno shënoi golin tjetër.

Dy skuadrat e Madrid-it fituan, por për rreth 15 minuta, Real-i ishte në krye.

Madrilenët kaluan në epërsi në minutën e 68-të, me anë të golit të Nacho-s. Deri në fund rezultati mbeti i njëjtë dhe madrilenët morrën tre pikët.

Por, në atë periudhë kohore, ndodhi gjithçka në ndeshjen e Atletico-s.

Në minutën e 75-të, Budimir shnëoi për 1-0.

Me mënyrën si mbrohej Osasuna, u duk e pamundur që Atletico të kthente rezultatin në favor të tyre.

Me një super goditje, Renan Lodi shënoi për 1-1 në të 82-ën, duke i lënë kohë të mjaftueshme “Rojiblancos” që të luftojë për golin e fitores.

Skuadra e Simeone-s atë e gjeti në minutën e 88-të, me anë të Luis Suarez, duke thyer zemrat në anën tjetër të Madrid-it.

Në këtë mënyrë, gjithçka do të vendoset në javën e fundit.

Atletico udhëton te Valladolid-i e rrezikuar për mbijetesën, kurse Real Madrid-i pret Villarreal-in.

Real Madrid-it i bën punë vetëm fitorja, njësoj si edhe Atletico-s.

Të dy skuadrat i luajnë ndeshjet e tyre më 22 maj, në orën 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore