Lajme

Kuvendi i Kosovës ratifikon disa marrëveshje ndërkombëtare


Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Me 81 vota pro, Kuvendi i Kosovës të hënën ka ratifikuar marrëveshjen e bashkëfinancimit për Projektin “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës.

Grupet parlamentare e kanë mbështetur votimin e kësaj marrëveshje.

“Me vota 81 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes së bashkëfinancimit për Projektin “ Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës”, ka thënë Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie opozitare e përkrahë votimin e këtij projektligji.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj

“Duke u nisur në mbështetjen e shtetit zviceran që nga paslufta, e mbështesim dhe e përkrahim me votë”, ka thënë ai.

Po ashtu, edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e ka mbështetur votimin e projektligjit në fjalë.

“E mbështesim dhe jemi pro zhvillimeve të tilla dhe do ta votojmë”, ka thënë deputeti Ferat Shala.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala

Ri konfirmimin e përkrahjes ndaj votimit të këtij projektligji ka dhënë edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Në anën tjetër, gjatë kësaj seance, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit.

“Me vota 82 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financim shtesë”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim”, ka thënë Konjufca.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Po ashtu, Kuvendi miratoi ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Me vota 70 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, shtoi Konjufca.

Me 71 vota për, u miratua edhe projektligji për punimet nga metalet e çmuara.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se “arsyeshmëria për hartimin e projektligjit është përcaktim i kushteve, mënyrës dhe kontrollit të punimeve nga metalet e çmuara”.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

“Propozoj që të shqyrtoni dhe ta miratoni këtë projektligj”.

“Me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për punimet nga metalet e çmuara”, potencoi Konjufca.

Po ashtu, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar edhe pro programit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për vitet 2021 – 2025.

“Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar pro programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për vitet 2021 – 2025”, ka thënë Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, është votuar edhe plani i veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës apo Agjendës për Reforma Evropiane.

Zëvendëskryeminstri i parë, Besnik Bislimi, ka theksuar se qëllimi i këtij plani “është t’i jepet vëmendje më e lartë politike realizimit të reformave kyçe ekonomike, për fuqizimit e sundimit të ligjit, dhe konsolidimin e qeverisjes së mirë, të avancojë procesin e integrimit të Kosovës në BE”.

“Negociatat me BE-në janë përmbyllur pas marrjes së detyrës dhe në udhëheqjen e zyrës së kryeministrit është bërë plani i veprimit. ‘ERA 2’ ka një fokus shtesë në planin ekonomik dhe investimeve, siç është tranzicioni i gjelbër”, ka thënë Bislimi duke shtuar se periudha e zbatimit të saj është dy vjeçare.

Lidhur me votimin e këti plan veprimi, deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Grupi parlamentar i PDK-së do ta mbështesë miratimin e këtij plani.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri

“Do t’ua japim një shans kësaj qeverie, por duke e parë  trendin e qeverisjes dhe ritmin e qeverisjes dyshojmë se nuk do të arrijnë zbatimin as nga afër këtë plan. Thirrja jonë dhe kërkesa jonë drejt qeverisë është të jenë më dinamik në implementimin e këtij plani, në shpenzimet e fondeve nga taksa paguesit e BE-së”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, Shemsedin Dreshaj, deputet nga AAK, ka thënë se “në shumëçka jemi shumë vonë dhe frikohem që në këtë kohë të miratimit të këtyre rekomandimeve do të ketë shumëçka për të dëshiruar për shkak të punës së ngathët dhe të ngadalshme”.

Megjithatë, grupi parlamentar i AAK-së, kanë votuar pro miratimit të kësaj marrëveshje.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj

“Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar planin e veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës apo Agjendës për Reforma Evropiane”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërsa, me 61 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe raportin me rekomandime, në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave joqeveritare”.

Hykmete Bajrami, kryetare e Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike ka thënë se “ky komision ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës, i cili ka për objektiv për të vlerësuar nëse procesi i financimit të organizatave jo qeveritare është menaxhuar ashtu që të ofrojë transparencë të plotë, të shohim nëse ky proces është konkurrues”.

“Subjekt i këtij auditimi ka qenë zyra e kryeministrit, ministria e rinisë, kulturës dhe sportit dhe komuna e Prishtinës. Ky raport ka rreth 10 të gjetura të cilave institucionet duhet të përkushtohen e kujdes. Duhet të vë theksin se raporti i performancës ka pasur si objektiv zbatimin e të gjitha projekteve të realizuara në vitin 2019”, deklaroi Bajrami.

Deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami

Po ashtu, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin me rekomandime, në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”.

Ndërkohë, me vota 61 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e formoi komisionin për Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të ankesave të mediave.

Me këtë rast, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar deputetin Fitim Uka.

Nga radhët e LDK-së, deputetja Hykmete Bajrami ka propozuar deputetin Agim Veliun, kurse nga PDK-ja janë propozuar Mërgim Lushtaku dhe Blerta Deliu-Kodra.

Nga radhët e AAK-së, është propozuar deputeti Shemsedin Dreshaj si zëvendës kryetar i dytë i këtij komisioni, ndërkaq, Erxhan Galushi është propozuar si anëtar nga grupi parlamentar multietnik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore