Shqipëria

Kushtetuesja vijon seancën e dytë për Xhaçkën, PD-ja shpalos qëndrimin


Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e padisë së ngritur për të shpallur të papajtueshëm mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Padia është depozituar nga 28 deputetë demokratë, të grupit të kryetarit Sali Berisha.

Deputetët Agron Shehaj dhe Oerd Bylykbashi kërkuan sot nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë drejtësi në lidhje me mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

Në një prononcim për mediat, Shehaj tha se kjo gjykatë duhet të vendosë drejtësi e të marrë vendimin e duhur.

“Është shumë e qartë, zonja Xhaçka, ministre e Jashtme ka përfituar nga prona publike. E ka bërë këtë duke përdorur bashkëshortin dhe kunatën. Sot avokati i Xhaçkës, pranoi vetë që shtetasja e huaj që ka marrë statusin e investitorit strategjik për të fshehur bashkëshortin e Xhaçkës, është kunata e zonjës Xhaçka. Kështu që vendimi në gjykimin tonë është shumë i thjeshtë”.

I pyetur nëse ka një pretendim nga pala mbrojtëse dhe Kuvendi, që është tejkaluar afati 3 mujor për shqyrtimin, Shehaj tha se, “nëse vendimi dhe nëse Gjykata do të jetë e drejtë, nuk ka asnjë arsye dhe i ka të gjitha provat për të marrë vendimin e duhur”.

Në seancën që po zhvilllohet, avokati i Xhaçkës, Genc Çifligu ka deklaruar se nuk rezulton të ketë përfitime nga të mirat publike, ndërsa shtoi se kërkimet e paraqitura nuk legjitimohen që të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk ka asnjë kontratë të lidhur mes shoqërisë dhe bashkisë Himarë pasi ndodhemi ende në procesin e ndërtimit të strukturës hoteliere”.

Ndërsa Franci Nuri, përfaqësuesi ligjor i deputeteve të PD theksoi se nuk i takon Kuvendit që të vendosë nëse ka shkelje apo jo.

“Nuk i takon Kuvendit te vendose nëse ka shkelje ose jo. Kuvendi ka shkelur hapur Kushtetutën. Në kushtet kur Kuvendi ka shkelur Kushtetutën, gjykojmë se deputetët nuk kishin asnjë mundësi tjetër vetëm t’i drejtoheshin Kushtetueses për të zgjidhur çështjen në themel”, tha Nuri.

Kështu, Partia Demokratike qëndron e ndarë edhe sa i përket çështjes së Xhaçkës.

Në seancën e parë u shqyrtua kërkesa e 14 deputetëve opozitarë, sa i përket shqyrtimit të mandatit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ndërkohë vendimi pritet të merret brenda 30 ditëve.

Të pranishëm në seancë, ishin vetëm avokatët e palëve, ku fjalën i pari e ka marrë përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Marash Logu, i cili ka vijuar edhe me paraqitjen e kërkesës ndaj trupës gjyqësore.

Sipas Logut, rrëzimi i kërkesës së deputetëve nga ana e Kuvendit, është kundrejt kompetencave të veta, pasi vetë organi nuk ka përgjegjësi ligjore të bëjë interpretime. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që gjykimi për mandatin e Xhaçkës, të bëhet që ditën e sotme.

Nga ana tjetër, ka qenë përfaqësuesi i Kuvendit, Erind Mërkuri, i cili ka thënë se deputetja nuk ka kryer veprimtari të tjera vetë dhe se ato (lidhur me investimin e të shoqit), i takojnë personave të tjerë.

Ndaj, për këtë arsye, aktiviteti i familjarëve si veprime të vetë deputetit nuk mund të llogariten e kësisoj, është kërkuar prej tij rrëzimi i kërkesës së demokratëve.

Kjo e fundit, erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”.

Kjo, për të zhvilluar një projekt në bregdetin e Himarës, duke marrë kështu pronën publike për 30 vjet.

Sipas tyre, ka pasur favorizime për shkak të detyrës që Xhaçka ka në kabinetin qeveritar.

Me dy seanca dëgjimore publike, e para e vendosur për të filluar mëngjesin e 18 janarit, në orën 10:00 dhe tjetra në mesditë, në orën 13:00, Kushtetuesja – tashmë e plotë me të nëntë anëtarët e saj – pritet të dëgjojë palët mbi pretendimet e tyre.

E gjitha gjithsesi, vjen me krijimin e një momentumi të ri në dimanikën e të majtëve, ku një mbledhje e 16 janarit, do të shihte kritika karshi Xhaçkës, të bëra nga kreu i Qeverisë, Edi Rama, siç ka mësuar Albanian Post.

Shkaku, ka qenë etiketimi si “i dobët” i performancës së saj në krye të dikasterit të Punëve të Jashtme.

Në kondita të tilla tashmë, fjala e Kushtetueses duhet parë se për nga do të anojë, me pesë vota vendimtare për figurën e ministres, çështja e të cilës daton prej mesit të vitit 2022.

Mbyllet seanca për mandatin e Xhaçkës, vendimi brenda një muaji

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore