Shqipëria

Shehaj-Spiropali “përplasen” për investitorët strategjikë


Seanca plenare e 23 qershorit në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me debate, ku opozita ka akuzuar qeverinë për investimet strategjike.

Deputeti demokrat Agron Shehaj nga foltorja e Kuvendit deklaroi se qeveria ka favorizuar një subjekt me administrator burrin e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Sipas tij familja e Xhaçkës ka fituar një projekt për ta investuar në plazhet e jugut të vendit duke e bërë atë “investitor strategjik”.

“Më 2 mars Komiteti për Investimet Strategjike vendosi miratimin për ‘Drimadhes Luxury Suite’ me firmë të kryeministrit”, tha Shehaj, duke shtuar se nga ky vendim i është falur plazhi publik në Himarë për 30 vjet ministres”.

Duke treguar faktet Shehaj u shpreh se kompania “AGTÇ Shpk” është në pronësi të bashkëshortit të ministres.

“Familja Xhaçka e dinte se përfitimet ishin në shkelje të Kushtetutës. Dhe për të mashtruar ligjin familja ministrore krijon një kompani me emër shumë të ngjashëm me të parën, por jo në emër të bashkëshortit por në emër të një personi të afërt”, vijoi deputetit.

Ai u shpreh se se kjo kompani ndryshoi emrin në “ AGTCC Managment”, me pronare një shtetase amerikane. Kjo e fundit sipas tij bashkëjeton me vëllain e Ministres.

Në interpelancë me Shehajn ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, u shpreh se Xhaçka nuk është anëtare e komiteti për dhënien e lejes për “investitorët strategjikë” dhe ky fakt “e përjashton përfshirjen e saj në konflikt interesi”.

“Statusi i investimeve strategjike nuk është favor, por e drejtë ligjore që iu jepet investitorëve kundrejt një të mire publike që këta investitorët i sjellin vendin”, tha Spiropali.

Ndërsa deklaroi se, “Artan Gaçi dhe Xhaçka njihen nga të gjithë. Në asnjë rast nuk është fshehur që është në emër të tij. Sa i përket vendimit të Komitetit, janë të mbështetura në kuadër ligjor dhe subjekti i ka përmbushur kriteret. Është investim privat”.

Ndër të tjera ajo u shpreh se për këtë fakt Xhaçka përpara mbledhjes së Këshillit të Ministrave – ku aprovohen me VKM investimet strategjike- ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë për të garantuar paanshmërinë e vendimmarrjes së kabinetit qeveritar.

Kujtojmë që Shehaj kishte thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama. Por ky i fundit ndodhet në samitin dyditor të Bashkimit Evropian dhe për rrjedhojë fjalën e kishte deleguar te Spiropali.

Ai e mbylli fjalën e tij duke pyetur Ramën dhe ministrat nëse kanë turp që vjedhin një nga vendet më të varfra në Evropë.

“Unë e kuptoj që ju nuk keni frikë, nuk i trembeni as Gjykatës Kushtetuese, nuk ju bën përshtypje përgjegjësia para ligjit. Po juve, kryeministrit, ministrat, nuk ju vjen fare turp të vidhni në këtë lloj mënyre një nga vendet më të varfra në Evropë”, e përmbylli Shehaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore