Shqipëria

Mbyllet seanca për mandatin e Xhaçkës, vendimi brenda një muaji


Është mbyllur seanca e shqyrtimit të kërkesës së deputetëve në Gjykatën Kushtetuese për sa i përket shqyrtimit të mandatit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila me kërkesë të 14 deputetëve opozitarë të Parlamentit të Shqipërisë, kërkohet shkarkimi nga detyra e lartë shtetërore që ka.

Ndërkohë vendimi pritet të merret brenda 30 ditëve.

Të pranishëm në seancë, ishin vetëm avokatët e palëve, ku fjalën i pari e ka marrë përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Marash Logu, i cili ka vijuar edhe me paraqitjen e kërkesës ndaj trupës gjyqësore.

Sipas Logut, rrëzimi i kërkesës së deputetëve nga ana e Kuvendit, është kundrejt kompetencave të veta, pasi vetë organi nuk ka përgjegjësi ligjore të bëjë interpretime. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që gjykimi për mandatin e Xhaçkës, të bëhet që ditën e sotme.

Nga ana tjetër, ka qenë përfaqësuesi i Kuvendit, Erind Mërkuri, i cili ka thënë se deputetja nuk ka kryer veprimtari të tjera vetë dhe se ato (lidhur me investimin e të shoqit), i takojnë personave të tjerë.

Ndaj, për këtë arsye, aktiviteti i familjarëve si veprime të vetë deputetit nuk mund të llogariten e kësisoj, është kërkuar prej tij rrëzimi i kërkesës së demokratëve.

Kjo e fundit, erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”.

Kjo, për të zhvilluar një projekt në bregdetin e Himarës, duke marrë kështu pronën publike për 30 vjet.

Sipas tyre, ka pasur favorizime për shkak të detyrës që Xhaçka ka në kabinetin qeveritar.

Me dy seanca dëgjimore publike, e para e vendosur për të filluar mëngjesin e 18 janarit, në orën 10:00 dhe tjetra në mesditë, në orën 13:00, Kushtetuesja – tashmë e plotë me të nëntë anëtarët e saj – pritet të dëgjojë palët mbi pretendimet e tyre.

E gjitha gjithsesi, vjen me krijimin e një momentumi të ri në dimanikën e të majtëve, ku një mbledhje e 16 janarit, do të shihte kritika karshi Xhaçkës, të bëra nga kreu i Qeverisë, Edi Rama, siç ka mësuar Albanian Post.

Shkaku, ka qenë etiketimi si “i dobët” i performancës së saj në krye të dikasterit të Punëve të Jashtme.

Në kondita të tilla tashmë, fjala e Kushtetueses duhet parë se për nga do të anojë, me pesë vota vendimtare për figurën e ministres, çështja e të cilës daton prej mesit të vitit 2022.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore