Shqipëria

Xhaçka-Shehajt: Nuk kam shkelur asnjë ligj as unë, as bashkëshorti, as qeveria, as kryeministri


“Jo, nuk kam shkelur asnjë ligj, as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as kryeministri e askush. Nuk jam në konflikt interesi as unë e askush”.

Kjo ka qenë përgjigjja e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, drejtuar deputetit demokrat Agron Shehaj.

Ky i fundit më herët akuzoi Ministren se familja e saj ishte favorizuar nga qeveria në dhënien e një zone publike në Himarë për investim strategjik.

Sipas Xhaçkës, nëse kolegët demokratë nuk e dinë se nuk është shkelur asnjë ligj, “do të bënin mirë të merrnin një jurist t’ua shpjegonte sepse është turp të jesh në këtë parlament, të pretendosh që përfaqëson interesat e një pjese të elektoratit e të bësh oponencën e qeverisë, e të mos kuptosh as ligjet për të cilat flet”.

“Që unë nuk jam në konflikt interesi, këtë nuk e them vetëm unë, sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala e deputetit Shehaj përballë fjalës time. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë ILDKPI”, iu drejtua ajo Shehajt.

Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese, në asnjë moment, nuk u ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo ministrave të merren me biznes.

“Im shoq merret me biznes që në vitin 1991. Edhe im shoq, si Shehaj e ka nisur biznesin si emigrant në Itali, për ta vazhduar më pas në Shqipëri. Dhe, pas 30 vitesh në biznes, është angazhuar sot për të bërë një investim serioz, një hotel me 5 yje në Jug”, vijoi ajo sqarimin.

Agron Shehaj

Duke vërejtur për opinionin publik, minstrja deklaroi se, “ky investim është një investim privat, në një truall privat, nga investitor privat”.

“Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli me 5 yje. Çdo qindarkë e këtij investimi është produkt i punës 30-vjeçare si një biznesmen i suksesshëm të papërfshirë në tendera apo prokurime apo asgjë tjetër që ka të bëjë me përfitimin e fondeve publike”, ravijëzoi ajo për publikun.

Në përfundim, Xhaçka u shpreh se i vetmi përfitim që ka bashkëshorti i saj është se si investitor strategjik, ka fituar të drejtën për të pasur prioritet në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për marrjen me qira të plazhit përpara hotelit.

Çfarë deklaroi Shehaj më herët?

“Më 2 mars Komiteti për Investimet Strategjike vendosi miratimin për ‘Drimadhes Luxury Suite’ me firmë të kryeministrit”, tha Shehaj, duke shtuar se nga ky vendim i është falur plazhi publik në Himarë për 30 vjet ministres”.

Duke treguar faktet, Shehaj u shpreh se kompania “AGTÇ Shpk” është në pronësi të bashkëshortit të ministres.

“Familja Xhaçka e dinte se përfitimet ishin në shkelje të Kushtetutës. Dhe, për të mashtruar ligjin, familja ministrore krijon një kompani me emër shumë të ngjashëm me të parën, por jo në emër të bashkëshortit, por në emër të një personi të afërt”, vijoi deputeti.

Ai u shpreh se kjo kompani ndryshoi emrin në “ AGTCC Managment”, me pronare një shtetase amerikane. Kjo e fundit, sipas tij, bashkëjeton me vëllain e ministres.

Shehaj kishte thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama.

Por, ky i fundit ndodhet në samitin dyditor të Bashkimit Evropian dhe, për rrjedhojë, fjalën e kishte deleguar te Spiropali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore