Shqipëria

Kushi: Marrëveshje bashkëpunimi me Izraelin për arsimin/ Nxënësit rikthehen në shkollë


Ministria e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mesditën e 26 janarit njoftoi për mediat dy nga vendimet e rëndësishme që u morën.

I pari lidhet me miratimin në parim të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit për vitin 2022-2025, që nxit dhe inkurajon bashkëpunimin e ngushtë në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, rinisë dhe sportit.

“Në mënyrë të veçantë nxit aktivizimit e projekteve mes përvojave të ndryshme. Me pak fjalë përfshin një kuadër shumë të gjerë”, tha Kushi për sa i takon kësaj marrëveshjeje.

Ndërsa i dyti ka të bëjë me sportin që lidhet me përcaktimin e masave të sigurisë dhe përgjegjësitë të aktiviteteve sportive dhe ndeshjet e futbollit.

“Sporti është një e drejtë kushtetuese dhe është bërë fenomen dhuna. Kjo cenon integritetin e sportit dhe misionin që ka argëtues dhe edukativ. Prandaj duhet të përmirësohet kuadri ligjor qe të parandalohet dhuna në sport”.

Kushi u pyet nga gazetarët nëse nxënësit do të rikthehen nesër në shkolla siç sihte paralajmëruar, ajo tha se “po”.

“Lajmi i mirë është që nesër rikthehen në shkolla nxënësit dhe mësuesit, pasi do të ketë përmirësim të temperaturave”.

Sipas saj, temperaturat ishin jo të zakonshme për një vend si Shqipëria dhe se vendime të tilla kanë marrë dhe shtetet fqinje Greqia dhe Turqia, për shkak të motit.

Më tej, Kushi tha se problematika për mbylljen e shkollave nuk ka qenë vetëm ngrohja në shkolla, por se “ne duhet të kemi kujdes që në momentin që nxënësit dalin nga shtëpia dhe duhet të marrim masa”.

Ndër të tjera, ajo u pyet se pse nuk ishte i njëjti vendim edhe për kopshtet dhe çerdhet.

Kushi tha e prerë se këto të fundit janë të varësi të Bashkive.

“Bashkitë mund të marrin vendim, por nga ana tjetër prindërit nuk janë të detyruar t’i çojnë nëse shikojnë temperaturat e ulëta”, përmbylli Kushi.

Ajo e mbylli duke thënë se, “shpresojmë që kushtet të mos na ofrojnë surpriza të tjera, por ishte një periudhë treditore që sipas ekspertëve ishte e nevojshme”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi

Të enjten e 20 janarit pati njoftim nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi se, për shkak të temperaturave të ulëta, shkollat do të mbylleshin tri ditë.

Ministrja theksoi se orët e humbura do të zëvendësohen në vijim, pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.

“Natyrisht nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, ne do ta rishikojmë këtë vendim dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rëndësi prioritare”, tha ministrja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore