Lajme

Kush ishte “Mr. Nyet” – nofka që kryeministri Kurti ia vendosi Vuçiç-it


Andrey Gromyko

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një cicërime të çuditshme në llogarinë e tij në Twitter pasditen e së martës, e ka pranuar që ai vetë i ka ofruar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, një asociacion për serbët e Kosovës. Serbët do të vetë-menaxhonin, ka thënë Kurti dhe draftin e propozimin do ta bënte vetë.

Në postimin e tij ai tha që presidenti serb e kishte refuzuar bujarinë e tij lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Duke i thënë “Jo” propozimit të tij, sipas Kurtit, presidenti serb mund të rivalizojë një paraardhës të Luftës së Ftohtë për titullin “Zotëri Nyet”.

“A është ai Doktor Jo-ja, apo Zotëri Jo-ja (Nyet). Mirë, e dimë që doktor nuk është”, shkroi Kurti, pak ditë pasi shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, pas tetë orësh bisedime, më 18 mars në Ohër.

Por kush ishte “Zotëri Nyet”?

Andrei Gromyko ishte Ministër i Punëve të Jashtme i katër Republikave Sovjetike Socialiste për 28 vjet, nga 1957 deri në 1985. Ai gjithashtu ka qenë edhe ambasador i Bashkimit Sovjetik në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gromyko në fillim të vitit 1939, u ftua në komisionin e Komitetit Qendror të partisë komuniste, të kryesuar nga Vyacheslav Molotov dhe Georgy Malenkov. Komisioni zgjodhi punëtorë të rinj nga radhët e komunistëve që mund të dërgoheshin në punë diplomatike.

Ai u zgjodh diplomat për një fakt rastësor. Një legjendë thotë se Jozef Stalin miratoi personalisht kandidaturën e Andrei Gromykos, sepse mbiemri tingëllues i kishte rënë në sy diktatorit sovjetik. Mungesa e personelit ishte shfaqur si rezultat i represioneve staliniste.

Kjo histori mund të jetë ose të mos jetë e vërtetë, por diktatori sovjetik luajti një rol të madh në sjelljen e Gromyko-s në diplomacinë botërore, megjithëse në një mënyrë më të tërthortë dhe gjithashtu shumë më të keqe.

Gromyko kishte tre vëllezër. Dy prej tyre vdiqën në llogoret e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa i treti vdiq pak më vonë nga plagët e marra. Gjatë kësaj kohe ai ishte ambasador i BRSS-së në Uashington.

“Sa herë jam në bisedime për të mbrojtur interesat e BRSS-së, unë dëgjoj zërat e vëllezërve të mi që më pëshpëritin: Mos u dorëzo Andrei, mos u dorëzo, po lufton për ne, jo për vete”, pati thënë ai.

Në sallonet diplomatike i kishin vënë nofkën “Zotëri Nyet”, që do të thotë “Zotëri Jo-ja”, pasi ishte shumë e vështirë të merrje aprovimin nga ai. Gromyko përdorte shpesh të drejtën e vetos në ditët e para të Kombeve të Bashkuara. Aq e njohur ishte vetoja sovjetike, sa që Gromyko u bë i njohur si “Zotëri Nyet”.

Ish-Sekretari i Shtetit në SHBA, Henry Kisinger, do ta cilësonte Gromyko-n si një ndër diplomatët më të përgatitur, inteligjentë dhe seriozë, si dhe një nga njerëzit më të sjellshëm që kishte njohur përgjatë viteve të angazhimit diplomatik.

Gromyko është i njohur për durimin e tij në diskutimin e detajeve të marrëveshjeve. Ai thoshte se preferon 10 vjet negociata sesa një ditë lufte dhe i qëndroi fjalës. Për këtë, ai u respektua gjerësisht si në BRSS ashtu edhe në Perëndim.

Në karrierën e tij të gjerë diplomatike, ai kaloi 28 vjet si ministër i jashtëm i BRSS-së dhe shumë vite të tjera në shërbimin diplomatik në poste të tjera. Gromyko ishte një lojtar kyç në pothuajse të gjitha ngjarjet më të rëndësishme politike të shekullit të 20-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore