Lajme

Kush fluturon drejt Gjermanisë, detyrim testin negativ të Covid-19


Të gjithë pasagjerëve, të cilët do të fluturojnë për në Gjermani, duke filluar nga 30 marsi do t’u kërkohet testi negativ i Covid-19.

Gjermania është duke u përballur me një valë të tretë të infeksioneve. Ndërkohë që mijëra turistë gjermanë kanë fluturuar jashtë vendit për pushimet e Pashkëve.

Këto rregulla të reja u vendosën në bazë të rrezikshmërisë së virusit në vendin e origjinës dhe do të zgjasin të paktën deri më 12 maj. Por nuk përjashtohet mundësia për t’u shtyrë.

Cilat janë rregullat e reja?

Udhëtarëve do t’u kërkohet një test negativ i Covid-19, para nisjes, pavarësisht nivelit të rrezikut në vendin e tyre të origjinës.

Linjat ajrore do të lejojnë në bord vetëm pasagjerët që do jenë të pajisur me test negativ.

Testi duhet të merret jo më herët se 48 orë para nisjes.

Udhëtarët do të duhet të paguajnë vetë për testet. Testet PCR dhe testet e shpejta të aprovuara do të pranohen.

Përjashtohen ekuipazhet e linjave ajrore, si dhe fëmijët nën 6 vjeç.

Sa u përket atyre që do të kthehen, do t’u kërkohet karantinë sipas rregullave të përcaktuara nga 16 shtetet e Gjermanisë.

Pse u ndryshuan rregullat e udhëtimit?

Rregullat e reja të testimit hynë në fuqi, pasi zbatimi i tyre ishte shtyrë për t’u lejuar linjave ajrore dhe udhëtarëve më shumë kohë për t’u përgatitur.

Më parë, vetëm atyre, që ktheheshin nga vendet e përcaktuara me rrezik të lartë, u kërkohej të paraqisnin një test negativ përpara se të udhëtonin në Gjermani.

Masat e reja për udhëtimin, vijnë ndërsa mijëra pushues gjermanë fluturuan në ishullin spanjoll të Mallorca-s gjatë ditëve të fundit.

Më parë, udhëtarëve që ktheheshin nga zonat me rrezik të ulët, nuk u kërkohej të karantinoheshin ose të testoheshin pas kthimit.

A po diskutohen masa të tjera udhëtimi?

Qeveria gjermane është ende duke shqyrtuar nëse është e mundur të zbatohet një ndalim i përkohshëm i udhëtarëve të huaj. Këtë javë pritet të merret një vendim.

Si paraqitet situata e coronavirus-it në Gjermani?

Javën e kaluar, kancelarja Angela Merkel dhe 16 udhëheqësit shtetërorë të vendit ranë dakord të zgjasnin bllokimin e vendit deri në prill.

Por ata e ndryshuan vendimin për të bllokuar vendin pesë ditë gjatë kremtimit të Pashkëve.

Gjermania aktualisht po lufton me një valë të tretë të infeksioneve. Kjo ka ardhur kryesisht nga varianti shumë ngjitës i virusit B117, që u zbulua për herë të parë në Britani.

Të martën, shkalla e incidencës shtatë ditore të infeksioneve të reja me coronavirus vazhdoi të rritet, deri në 135 infeksione të reja për 100 mijë banorë.

Zyrtarët ranë dakord për të zbatuar masa më të rrepta bllokimi në zonat ku norma tejkalon standardin kritik të 100 rasteve për shtatë ditë. Megjithëse zbatimi ka qenë i paqëndrueshëm, pasi disa qeveri federale e kanë kundërshtuar politikën e Merkel-it.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore