Lajme

Kusari për draft-statutin e Ramës: E duhur do ishte nëse dokumenti do vinte në Kosovë, para se të shkonte në Francë dhe Gjermani


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ka deklaruar se nuk e kanë parë draft-statutin e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas saj, kjo mund të jetë një iniciative “me qëllim të mirë”, por që mund të shkoj keq.

Kusari-Lila, konsideron se raportet me Shqipërinë janë më të tepër se fqinjësore, për këtë arsyeje draft-statuti i presidentit të Edi Ramës, para se të shkojë në Francë dhe Gjermani, duhet të jetë i Kosovës.

“Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit”.

“Përtej asaj se një iniciativë ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkoj keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira. Prandaj nuk e shoh jashtë këtij konteksti as këtë propozim”, deklaroi Kusari Lila për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ajo tutje ka theksuar se ky draft nuk është prezantuar para Kosovës akoma.

“Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draft-statut. Siç ka thënë vet kryeministri Rama, nuk është konsultuar. Unë mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë, krejt historinë e këtij procesi dhe natyrisht rëndësinë e kuptimit të rrjedhës përpara bazuar në parime”, tha ajo.

“Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi Kusari-Lila.

Më 8 qershor, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka propozuar një draft për Asociacionin në Kosovë.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi fillimisht Rama gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore