Lajme

Kusari për djegien e muzeut akuzon qeverisjen në Gjakovë: Ministria e Kulturës të merr menaxhimin


Foto nga inaugurimi i Muzeut të Muzikës, 17 Korrik 2016: Mimoza Kusari Lila.

Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga organet kompetente që të jepet përgjegjësi për djegien e objektit të Taphanës, dikur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Kusari-Lila ka thënë se komuna e Gjakovës me qeverisjen që e ka aktuale në krye me Ardianin Gjinin s’ka pasur interesim për ruajtjen e objektit të trashëgimisë.

“Kush e dogji Muzeun e Muzikës, është pyetje për të cilën përgjigjen duhet ta japin organet kompetente. Por kush nuk ka pasur interesim ta mirëmbajë dhe t’a ruajë Muzeun, dihet”.

“Komuna e Gjakovës nën qeverisjen aktuale, nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashëgimisë kulturore. Ai vend pësoi degradimin total para djegies finale”, ka shkruar Kusari-Lila.

Sipas saj, do të ishte e rrugës së duhur që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ta marr nën menaxhim.

“Ky objekt duhet medoemos të rikthehet ashtu siç ishte. Duhet tē rindërtohet dhe për të duhet të kujdeset  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pas rindërtimit duhet t’a merr menaxhimin dhe përkujdesjen ndaj tij me destinimin paraprak, Muzeu i Muzikës shqipe”.

Pasi që komuna konsideron ajo se nuk mund ta udhëheq e as të kujdeset në mënyrë të duhur.

“Komuna nuk e ka as interesimin dhe as kapacitetin të ruajë dhe mbledhë artifaktet muzikore. Në vitin 2016 ishte bërë i tillë me kujdesin dhe përkushtimin e drejtorit të Kulturës të asaj kohe, Meriton Ferizi, për çfarë i jam mirënjohëse”.

Ajo ka kujtuar se në mandatin e saj ishte angazhuar për krijimin e një zgjidhje që do të ruante historinë e krijimtarisë muzikore.

“Andaj në mandatin tim si Kryetare e Komunës së Gjakovës, e vlerësuam se ishte më se e nevojshme të kishte një destinim për historinë e krijimtarisë muzikore nga Gjakova, vlerë kombëtare për gjithë shqiptarinë”.

Kusari Lila ka potencuar se “të shkatërrosh është gjithmonë më lehtë se të ndërtosh e ruash, por vlerësohemi për çfarë ndërtojmë e lëmë pas dhe jo çfarë shkatërrojmë”.

Shefja e VV-së, ka thënë se është e vështirë të kujdesesh për objektet kulturore, por duhet të gjendet një zgjidhje e përhershme.

“Por, menaxhimi dhe përkujdesja e vazhdueshme me mundësi të mirëmbajtjes së mirëfilltë të Muzeut do të jetë sfidë gjithmonë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përhershme”.

Në orët e pasdites të mërkurën objekti i muzeut të Muzikës në Gjakovë është përfshirë nga zjarri.

Komuna e Gjakovës, përmes një komunikate ka bërë të ditur se në objektin e djegur të muzeut të muzikës nuk ka pasur ndonjë artefakt dhe të gjitha elementet historike e artistike kanë shpëtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore