Kosova

Kusari pas mbledhjes së Kryesisë: Caktuam dy seanca për këtë javë, diskutohet për ndarjet buxhetore


Mimoza Kusari-Lila.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, shefja e grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe shefi i grupit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kanë shprehur ngushëllime për personat që humben jetën e tyre nga tërmeti në Turqi.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila bëri të ditur se kryesia u pajtua për mbajtjen e dy seancave.

“Kryesia u dakordua për mbajtjen e dy seancave e para do të jetë me 8 shkurt me fillim në ora 12:00, ndërsa seancë e rregullt do të mbahet më 9 shkurt me fillim në ora 10:00, do të jetë edhe shqyrtimi I projektligjit për ndarje buxhetore”.

Kusari-Lila shtoi se, “nga pika e rendit të ditës është hequr gjegjësisht shqyrtimin e raportit të komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike”.

Gjatë fjalimit të tij, shefi i grupit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se në seancën e ardhshme pritet të kërkohet vlera e koeficientit në 120 euro.

Kërkesë tjetër e tij ka qenë që të merren për bazë sindikatat.

“Besoj se mazhoranca do të këndellet karshi kërkesave nga sindikatat. Kërkoj që të enjten të pajtohen me propozimet dhe të shkojë në ngritje të vlerës së koeficientit”.

Abelard Tahiri

Tahiri gjithashtu ka kërkuar që anash të mos mbetet as sektori privat.

“Ky duhet të jetë shqetësim i madh për kryeministrin Kurti e presidenten Osmani dhe besoj se duhet të reflektojnë edhe karshi sektorit publik”.

“Gjendje të rëndë e kemi edhe sektorin privat si pasojë e mungesës së investimeve. Rreth 700 milionë euro kanë mbetur në llogarinë bankare të Qeverisë dhe kjo ka ndikuar në kontratat që të mbesin pezull”, ka thënë Tahiri.

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit.

Më i ulëti, u takon pozitave si: rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore