Lajme

Kusari-Lila: Asnjëherë nuk është bërë unifikim i regjistrit të kategorive sociale


Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Pas kërkesës së opozitës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se duhet të ketë debat në Kuvend, por që i njëjti duhet të jetë përmbajtjesor.

“Ai debat duhet të përfshijë përgjigjet në pyetjet pse në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës, nga viti 2004 kur për herë të parë është bërë udhëzimi administrativ për rregullimin e skemave apo zbatimin e skemës pensionale deri në vitin 2014”.

Ndërkaq, ka theksuar se asnjëherë nuk është bërë unifikim i një regjistri komplet i kategorive sociale.

“Kosova, sot aktualisht i ka 19 skema sociale të formave të ndryshme me të cilat përqindja e të cilave është shtuar në buxhet prej vitit 2019, 2020, 2021 dhe 2022. Por asnjëherë nuk është bërë një unifikim një regjistër komplet i kategorive sociale i rishikimit të skemës pensionale dhe i sjelljes në Kuvend komplet që i përfshin të gjitha kategoritë pa pasur kundërthënie siç kemi sot”.

Kusari-Lila, ka kujtuar ligjin për skemën pensionale i cili vazhdon të jetë në referencë të krahinës socialiste autonome.

“Kur është miratuar ligji nga ky kuvend për herë të fundit i njëjti nën diskriminues ka mbetur në referencë të një rregullorje të krahinës socialiste autonome të Kosovës do të thotë vazhdimisht i njejti nën ka mbetur në të gjitha dokumentet prej vitit 2004 deri në vitin 2014 kur për herë të fundit është votuar si ligj”.

Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Pas kësaj ka reaguar deputeti Shemsedin Dreshaj, përmes një replike në Kuvend.

“Nuk e keni lexuar mirë propozimin. Kam kërkuar që të hiqet 15 viteshi dhe të ngelë për aq sa kanë punuar para vitit 1999. Ky është ligj demokratik që e ka tërë bota”, ka thënë Dreshaj.

Një reagim pas fjalës së Kusari-Lilës ka ardhur edhe nga deputeti Bekim Haxhiu i cili ka kërkuar nga pushteti që të mos justifikohen me marrëveshje ndërkombëtare.

“Sot kemi ardhur në një situatë kur ka mundësi që të bëhet reforma pensionale dhe po ju them të mos justifikoheni në atë marrëveshje ndërkombëtare. Mos e përdorni, sepse atë marrëveshje për skema sociale, po ju lus lexojeni. 46 milionë janë skema sociale propozuar nga Ministria e Financave për të mbuluar skemat sociale të janarit dhe shkurtit të vitit 2021 pagesën për atë periudhë me marrë hua që të paguhet skema sociale të kohës së COVID-19 në janar edhe shkurt, mars”.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka theksuar se nenet e ligjit janë të diskriminuese dhe ofenduese.

“Sepse, të punësuarit e viteve 90-ta që janë larguar dhunshëm nga puna nuk mund ta gëzojnë një të drejtë që po u mohohet në mënyrë jodemokratike. Është jodemokratike të mbrojmë me vetëdije dispozita jodiskriminuese”.

“Nëse po e presim një reformë që aty të rregullohet kjo, me kapacitetet qe i ka Qeveria aktuale do të shkojnë deri në 5 vjet deri të përfundojë ajo. Propozoj që të kalohet në lexim të parë, të largohet kjo dispozitë dhe të bashkëpunojmë me Qeverinë që njëherë e mirë ta largojmë këtë temë nga Kuvendi”, ka thënë Zemaj.

Në Kuvendin e Kosovës nuk ka kaluar as projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Vetëm 49 deputetë kanë votuar. Opozita nuk mori pjesë në votim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore