Lajme

Kurti uron kryeministrin e ri të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre


Ilustrim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi  Jonas Gahr Strøre, me rastin e zgjedhjes Kryeministër i Norvegjisë.

Ai ka uruar për marrjen e detyrës dhe formimin e qeverisë nën udhëheqjen e kryeministrit Støre, me fokus në politikat sociale.

“Sistemi skandinav i mirëqenies është një model që qeveria ime dëshiron të ndjekë, edhe pse vendi ynë është ende i ri dhe ka vuajtur nga lufta e fundit dhe goditjet destabilizuese”.

Tutje ai ka shprehur mirënjohjen e shtetit të Kosovës ndaj shtetit norvegjez.

“Kosova e konsideron Norvegjinë mik tonin të vjetër, që ka qenë pranë nesh dhe na ka ndihmuar në momente të vështira”.

“Ndihma norvegjeze ka qenë ndër të tjera humanitare, diplomatike dhe ekonomike – vendi ynë do të jetë përgjithmonë mirënjohës”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ai ka shprehur gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dhe për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe.

“Me Norvegjinë si anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 2021-2022, ne e dimë se ju mund të kontribuoni shumë për paqen dhe sigurinë”.

Kurti ka thënë se Kosova është kontribuuese dhe e përkushtuar për paqe në rajon.

“Republika e Kosovës është gjithashtu kontribuese për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe pret të jetë një partner i besueshëm për angazhimet tona të përbashkëta ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë në rajon, Evropë dhe botë”.

Ai ka kërkuar që sa më parë të takohen delegacionet e të dy vendeve në Oslo apo në Prishtinë, për thellimin e më tutjemë të marrëdhënieve bilaterale.

Katër javë pasi përfundimit të zgjedhjeve kombëtare, Partia Laburiste e Norvegjisë kishte arritur një marrëveshje me Partinë e Qendrës për të formuar një qeveri të pakicës.

Oslo 20210913. Ap-leder Jonas Gahr Støre taler Arbeiderpartiets valgvake i Folkets Hus i Oslo.
Foto: Javad Parsa / NTB

Lideri laburist, Jonas Gahr Støre u bë kryeministër i vendit duke zëvendësuar Erna Solberg nga Partia Konservatore.

Partia Laburiste në zgjedhje fitoi 26.3 % të votave, ndërsa Partia e Qendrës përfundoi si subjekti i tretë me 20.4% të votave.

Të mërkurën e 20 tetorit, qeveria e re e udhëhequr nga Støre ka prezantuar detaje mbi planet qeverisëse.

Laburistët mund të kishin formuar një qeveri të shumicës nëse do të siguronin mbështetjen e partive të tjera me prirje të majtë, por nuk ishin në gjendje ta bënin këtë pasi bisedimet që përfshinin edhe socialistët dështuan për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikën klimatike, veçanërisht industrinë e naftës norvegjeze dhe taksat.

Në Norvegji, qeveritë e pakicave janë të zakonshme. Solberg qeverisi në krye të një qeverie të pakicës për pjesën më të madhe të mandatit të saj që nga viti 2013.

Kush është Jonas Gahr Strøre ?

Støre ka udhëhequr me Partinë Laburiste që nga viti 2014.

Ai ishte Ministër i Punëve të Jashtme nga 2005 deri më 2012 dhe si Ministër i Shëndetësisë dhe Shërbimeve të Kujdesit nga 2012 deri më 2013.

Që nga viti 2009 Støre ka qenë anëtar i Storting në Oslo.

Storting është legjislatura supreme e Norvegjisë, e themeluar në 1814 me Kushtetutën e Norvegjisë. Parlamenti njëdhomësh ka 169 anëtarë dhe zgjidhet çdo katër vjet bazuar në përfaqësimin proporcional të listës partiake në nëntëmbëdhjetë zona zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore