Lajme

Kurti thirrje Prokurorisë së Shtetit: Vrasësit mizorë të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të jenë prapa grilave


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25 vjetorin e masakrës së kryer në Podujevë nga njësiti serb “Skorpionët”, ka bërë thirrje tek Prokuroria e Shtetit që të bëjë më shumë që vrasësit e familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, të jenë prapa grilave.

Kurti, në fjalimin e tij para gazetarëve teksa bëri homazhe te varrezat e të vrarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu ka theksuar se dhe pas 25 vjetëve për Kosovën s’ka pasur drejtësi.

“Ne edhe njëherë i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të bëjë më shumë në mënyrë që këta vrasës mizorë të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të ndodhën prapa grilave, sepse kanë pasur shumë më tepër ekzekutorë dhe urdhërdhënës të kësaj ekspedite kriminale gjenocidale se sa që janë përballur me procesin në drejtësi, ku siç dihet në Serbi nuk ka pasur drejtësi për këto familje”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit theksoi se Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu ishin bashkë për tokën e Kosovës dhe për lirinë e popullit.

“Ata na e kujtojnë dhe përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë, që e gëzojmë sot, se si rrënjët e shtetit dhe të lirisë janë te gjaku i martirëve dhe dëshmorëve, por njëkohësisht zëri ynë do të jetë gjithnjë më i fuqishëm si institucional ashtu edhe qytetar për kërkim të drejtësisë”.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore. Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore