Lajme

Kurti takoi shefin e UNMIK-ut, pyetet nëse e ka diskutuar çështjen aktivistëve të VV-së që u vranë nga policët e këtij misioni


Në seancën e së hënës ku po diskutohet lidhur me gjendjen aktuale me pandeminë dhe sigurimin e vaksinave anti-Covid-19, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Kurti, është pyetur edhe për takimin e tij me përfaqësuesin special të Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin.

Kryeministri është pyetur nga deputeti opozitar i PDK-së, Fadil Nura lidhur me takimin Kurti-Tanin se a kanë biseduar për vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balës nga policia rumune.

“Keni pritur përfaqësuesin të sekretarit të Kombeve të Bashkuara, gjithmonë sipas njoftimit zyrtar, prioritetet që ka shpalosur kryeministri Kurti janë prioritete luftimi i korrupsionit, kryeministër krahas prioriteteve a shtove çështjen për vrasjen e Mon Balaj dhe Arben Xheladinit”.

Më 10 shkurt 2007, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Xheladini dhe Mon Balaj mbetën të vdekur pasi u qëlluan me plumba goma nga policët rumunë të misionit të UNMIK-ut derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.

Kurti është përgjigjur deputetit Nura duke thënë se në atë takim kanë pasur vetëm dy tema tjera, por jo këtë të aktivistëve të vrarë. Ai e arsyestoi këtë duke thënë se nuk mund ta ngrit atë çështje me UNMIK-un pa vepruar prokuroria e Kosovës.

“Në atë takim që është mbajtur me përfaqësuesin e Kombeve të Bashkuara, një ditë para seancës në OKB kishte vetëm dy tema, raportet e Kosovës me Serbinë dhe seanca në OKB…Si kryeministër konsideroj që me UNMIK-un duhet të fillojmë të flasim për vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt pasi që Prokuroria jonë të filloj hetimet. Ne nuk mund të kemi as nuk duhet të kemi ndikim. Ne kemi bërë atë që e mundemi. Ministrja Haxhiu, i ka shkruar direkt Rumanisë për këtë çështje, po nuk kemi marrë përgjigje”, ka deklaruar ai.

Tutje deputeti i PDK-së ka dhënë një konstatim mbi përgjigjen e kryeministrit, duke thënë se kryeministri Kurti i ka harruar Mon Balaj dhe Arben Xheladinin.

“Ai i ka përmendur gjithë ata, pot tap në karrigen e kryeministrit i harroi të dy. Vetë nuk e kishte përkrahur gjykimin në mungesë”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore