Lajme

Kurti: Rryma nuk konservohet në frigorifer – po e blejmë me çmim të shtrenjtë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se s’ka pasur mundësi të blihet rrymë më herët për t’u evituar kriza energjetike, pasi sipas tij rryma s’mund të konservohet në frigorifer.

Ne jemi goditur rëndë sepse jemi vend më i varfër se të tjerët sepse shtatë herë më shumë shpenzon energji elektrike amvisëria në raport me industrinë”, ka thënë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Jemi kritikuar që është dashur të blejmë energji elektrike më herët por nuk ka qenë e mundur sepse s’mund të blesh energji elektrike dhe ta konzervosh në frigorifer”.

“Je shumë i ekspozuar ndaj çmimeve të bursës dhe nuk ka asnjë vend në rajon që është vend eksportues të gjithë janë duke importuar”, ka thënë ai.

Çmimi i rrymës që Kosova po e importon është shumë i lartë ka deklaruar ai, duke shtuar se do të subvencionojnë konsumin tek familjet e varfra.

“Ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë jemi duke e bërë me çmime bukur të shtrenjta sepse bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet e larta të gazit”.

“Ne subvencionojmë konsumin dhe do të ndihmojmë familjet që janë më të varfra por edhe kemi bërë thirrje që ta racionalizojnë shpenzimin”, ka thënë ai.

“BE-ja e mbështet ‘Ballkanin e Hapur’ sa për të mos i dalë kundër idesë”

Kryeministri ka folur rreth vjetërsisë së pajisjeve dhe vet termocentraleve të Kosovës, ndërsa ka shtuar se gjatë dy dekadave të pasluftës ka pasur përgjithësisht “projekte sporadike e të dështuara, pa një strategji të mirëfilltë”.

Por se ai ka thënë se tani ka strategji të mbështetur në analizë dhe studime, mirëpo projektet mungojnë për të cilat ai ka thënë se do të ketë në dekadën e tretë.

Ndërsa sa i përket ndërlidhjes me krizën energjetike për të cilën është kritikuar shumë nga opozita për refuzimin e projektit të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit për ndërtimin e strukturës së gazsjellësit, Kurti ka thënë se ”Ne nuk e kemi përjashtuar mundësinë e furnizimit me gaz dhe përdorimit të gazit dhe të një termoelektrane në të ardhmen edhe nëpërmjet gazit, dhe këtë mund ta bëjmë më vonë”.

Pavarësisht faktit se gazsjellësi është një projekt rajonal i cili përfshinë Maqedoninë e Veriut dhe lidhet edhe me Greqinë, pra kur Kosova ka nevojë për zgjerim të këtij bashkëpunimi rajonal, ai është shprehur se “bashkëpunimin rajonal ne e kemi prioritet”.

“Por nuk mendoj që projektet e tilla, që edhe ashtu nuk do të mund të fillonin para shumë vjetëve, diku nga fundi i kësaj dekade, do të mund ta cenojnë bashkëpunimin e mirë që kemi me të gjitha vendet e rajonit, mbase me përjashtim të fqinjit tonë verior”, ka thënë Kurti.

Edi Rama, Alexander Vuçiç dhe Zoran Zaev, gjatë prezantimit të nismën “Ballkani i Hapur”

Kryeministri Kurti ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur”, ku ka thënë se mbështetja e Bashkimit Evropian për “Ballkanin e Hapur” është më shumë nga motivi që të mos dilet kundër idesë, sesa të përkrahet një projekt i tillë.

“Nuk duan të kundërshtojnë idenë por nuk është se aktivisht po marrin pjesë në projektin e tillë. Nga tri shtetet që po marrin pjesë në iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, vetëm një shtet ka mbështetjen edhe të presidentit edhe të kryeministrit, Serbia”, ka deklaruar Kurti.

Për mospajtimet e Kosovës me Shqipërinë për “Ballkanin e Hapur”, kryeministri ka thënë se raportet mes Prishtinës e Tiranës janë si kurrë më parë.

“Marrëdhëniet mes Prishtinës e Tiranës janë më të mirat në Kosovës e pasluftës”.

“Ne kemi mospajtime edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe brenda partive politike, nganjëherë kemi mospajtime edhe brenda kabineteve qeveritare, e lëre më mes dy kryeministrave”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore