Lajme

Kurti rastin “Panda” e cilëson si sulm terrorist të Serbisë: Beogradi vazhdon ta fshehë të vërtetën


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e sulmit terrorist të Serbisë në lokalin “Panda” në Pejë, ku të vrarë kishin mbetur gjashtë të rinj serbë nga Kosova, duke theksuar se Serbia vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serb edhe pas një çerek shekulli, sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.

“Kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës. Dëshmon për lidhjen e ngushtë mes mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë sonë”.

Rasti “Panda”, mbetet në ndër dëshmitë kryesore se si Serbia kishte tentuar ta fajësojë në atë botë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovë për kryerjen e krimeve ndaj serbëve.

“Më 14 dhjetor 1998, autoritetet serbe inskenuan vrasjen e  të rinjëve serb në kafiterinë “Panda” në Pejë.  Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar Kurti në platformën e tij sociale në Facebook.

Pas këtij rasti, sipas Kurtit më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan në Pejë në mesin e tyre edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami.

“Ata u burgosën në Pejë, ku u torturuan në mënyra ҫnjerëzore. Në qershor 1999, me rreth 400 të burgosur të tjerë, u dërguan në burg në Leskovc të Serbisë. Në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm. Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan. Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000”.

Në Serbi, sipas Kurtit, ende askush nuk është dënuar për këtë rast.

“Prindërit e të vrarëve kanë kërkuar që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të dëshmojë lidhur me deklaratat e tij.  Ai kishte thënë se ‘krimi në ‘Panda’ nuk është bërë nga shqiptarët’”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore