Lajme

Kurti priti në takim diplomaten Billing, flasin për Asociacionin sipas modelit kroat


Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Mediteran në Ministrinë për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar, Victoria Billing.

Për këtë takim zyra për medie e kryeministrisë njoftoi një ditë më vonë. Të enjten, në komunikatën zyrtare thuhet se në këtë takim është diskutuar edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe verzionin kroat të cilin po e shtynë përpara kryeministri.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Billingun për takimin e nivelit të lartë të javës së kaluar, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, edhe për vizionin e propozuar në atë takim, sipas modelit kroat, përkitazi me nenin 7 të Marrëveshjes Bazike. Ai theksoi se Marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe pa kushtëzime, dhe se Republika e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar palë e përgjegjshme, konstruktive dhe kreative”, thuhet në njoftim.

Billing e cila po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, është njoftuar “për zhvillimet në vend, me theks te progresi ekonomik dhe demokratike në dy vitet e fundit, dhe për bashkëpunimin e afërt me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, si rezultat i raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Përvec Victoria Billing, tek kryeministri në takim ishin edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe ish-ambasadori e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Denis Keefe.

Kryeministri Kurti në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, Ilir Kapiti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore