Lajme

“Kurti po merr kthesë autoritare”, “Po mbulon mospërmbushjen e disa premtimeve me krizën në Veri”, si raportuan mediat ndërkombëtare për kryeministrin


“Kurti ka marrë një kthesë autoritare”, “Kurti po mbulon mospërmbushjen e disa premtimeve me krizën në Veri”.

Kështu i kanë nisur shkrimet e tyre e përditshmja franceze “Le Monde” dhe e përjavshmja britanike “The Economist” më 29 dhe 30 qershor, teksa kanë shkruar nga një artikull për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe heqjen e licencës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve televizionit Klan Kosova.

Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’ia hequr licencën e biznesit televizionit “Klan Kosova”, ka nxitur të përditshmen franceze “Le Monde” t’i kushtojë një artikull kësaj çështjeje që është bërë temë diskutimi jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

“Klan Kosovës po i ecën koha. Kanalit të parë privat televiziv të Kosovës, që ka të punësuar 230 njerëz, mund të detyrohet të ndalojë së transmetuari së shpejti, nëse vendimi i 14 qershorit prej Ministrisë së Tregtisë për t’i hequr certifikatën e biznesit mbetet në fuqi”, shkruante prestigjiozja franceze.

Ndër të tjera, gazeta franceze e konsideron kryeministrin Kurti si “një nacionalist të majtë”, politika e të cilit, sipas asaj çfarë thuhet në këtë artikull, ka marrë “një kthesë autoritare” që nga rritja e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

“I përket familjes Devolli, një nga më të pasurat në këtë vend të vogël të Ballkanit, kanali beson se është në shënjestër të padrejtë nga kryeministri, Albin Kurti, një nacionalist i majtë shqiptar politika e të cilit ka marrë një kthesë autoritare që nga tensionet me pakicën serbe që jeton në veri të vendit”, shkruan tutje ky medium.

“Pothuajse të gjitha kanalet private të vendit kanë treguar gjithashtu solidaritetin e tyre duke transmetuar një mesazh në një sfond të zi me shprehjen ‘demokracia vdes në errësirë’, që në vitin 2017 ishte bërë slogani zyrtar i të përditshmes amerikane The Washington Post”.

“The Economist”: Kurti po mbulon mospërmbushjen e disa premtimeve me krizën në Veri

E përjavshmja “The Economist” ka zbuluar një skenar të mundshëm që fshihet pas krizës në veri të Kosovës dhe që implikon kryeministrin Albin Kurti.

“Një diplomat thotë se dyshon se Kurti ka gjasa të mbajë premtimin e tij për autonomi për serbët e Kosovës dhe sugjeron se kriza në veri mund ta ndihmojë atë të maskojë faktin se ai ka dështuar të përmbushë shumë nga premtimet e tij diku tjetër. Problemet në Kosovë mund të jenë gjithashtu një shpërqendrim i mirëpritur për Vuçiç, pasi ai përballet me demonstrata në shtëpi”, vëren gazeta britanike.

Botimi përdori fillimisht fjalët e diplomatit amerikan Gabriel Escobar për të përshkruar situatën në veri të vendit si “një përshkallëzim mbi një përshkallëzim të mëparshëm”.

Më 14 qershor tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe, ndonëse të dyja palët kundërshtojnë se në cilën anë të kufirit ishin ata.

Më 26 qershor ata u liruan. Por kriza Kosovë-Serbi vazhdon, thekson mediumi britanik.

“Pra, është Kurti ai që po e merr fajin”, ravijëzon në përmbyllje “The Economist”.

“Sanksionet e BE-së për Kosovën”

Bashkimi Evropian ka përgatitur një varg sanksionesh tepër serioze tashmë ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit Albin Kurti për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka ndarë me shtetet anëtare një pjesë të “skicës” për disa nga “masat shtrënguese” të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve në veri.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën para ministrave deklaroi se, “me raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian”, por sipas tij asnjëherë nuk janë treguar “as cinikë e as të hidhëruar”.

“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore