Lajme

Kurti për mos-ftesën në Samitin e Biden: Nuk është fundi i botës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “nuk është fundi i botës”, derisa ka komentuar mos-ftesën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Samitin për Demokraci.

Sipas tij, kjo mos-ftesë nuk tregon as qëndrim e as vlerësim specifik të SHBA-së ndaj Kosovës, duke shtuar se “këtë e ka treguar para disa ditësh edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë”.

“Nëse na ftojnë në konferencë, do të marrim pjesë, nuk është fundi i botës që s’jemi pjesë sepse lidhja jonë është shumë e fuqishme”, është shprehur Kurti në një intervistë për ATV.

Teksa ka folur për respektimin e pikave të Marrëveshjes së Washingtonit, për të cilin thotë se “jo gjithçka është e papranueshme në mënyrë absolute”, ai u pyet nëse e ka në agjendë të tij një takim me ndërmjetësuesin e atëhershëm të SHBA-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kurti u përgjigj shkurtimisht duke thënë se “Jo. Nuk e kemi në agjendën tonë ta takojmë”.

Në fillim të kësaj interviste, Kurti njoftoi se ministri i ri i shëndetësisë në Kosovë, nuk do të jetë nga partia të cilën e udhëheqë vetë Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

Teksa tha se ministri i ardhshëm vjen nga fusha e shëndetësisë, emërimi i tij në krye të kësaj pozite është çështje ditësh.

“Është çështje ditësh kur do ta emëroj ministrin e shëndetësisë në vend të ish-ministrit, Arben Vitisë. Dafina Gexha do të vazhdojë të jetë zëvendësministre derisa ta emëroj dikë tjetër”, është shprehur ai.

“Nuk do të jetë nga LVV por nga shëndetësia”, shtoi Kurti.

Dafina Gexha- Bunjaku aktualisht është zëvendësministre e Shëndetësisë.

Ajo është specialiste e epidemiologjisë, dhe ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Departmentin e Epidemiologjisë. Gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit të IKSHPK për fazën përgatitore dhe menaxhuese për COVID-19.

Në këtë intervistë, Kurti lavdëroi edhe punën që kishte bërë Vitia sa ishte në mandatin e dytë si ministër, sa i përket negociimit që ka bërë me vendet e tjera në sigurimin e vaksinave anti-COVID.

“230 milionë euro është tejkaluar investime të huaja në gjashtë mujorin e parë, që është më i madhi në cilindo gjashtë mujor të parë prej se Kosova e ka fituar pavarësinë”.

Sa i përket Vettingut në Kosovë, kur pyetet se a kanë të drejtë që po e synojnë këtë proces, Kurti ka thënë “kemi të drejtë”.

“Çfarë dihet është mbi 200 prokurorë që kemi dhe dhjetëra gjykatës që duhet të jenë fikas, këtë nuk e bëjmë për hakmarrje por për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore