Lajme

Kurti për Burgun e Dubravës: Serbia kishte qëllim jo vetëm eliminimin e tyre politik, por edhe zhdukjen e tyre fizike


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në Burgun e Dubravës.

Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti në 24-vjetorin e masakrës së Dubravës, në të cilën regjimi gjenocidal serb vrau e plagosi qindra të burgosur shqiptarë, tha se Serbia e kishte bërë Burgun e Dubravës “një lloj kampi të përqendrimit të të burgosurve politikë shqiptarë”.

Kurti, u shpreh se të burgosurit politik shqiptarë në Jugosllavi, ishin një kategori në vete e cila as nuk mund të injorohej e as të shmangej.

“Ky plan dhe kjo ‘zgjidhje përfundimtare’ e ideuar nga Serbia, e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik, për të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi i tyre politik, por edhe zhdukja e tyre fizike”.

“Se çka ndodhi në burgun e Dubravës mes 19 majit dhe 24 majit të vitit 1999, më së miri e kanë rrëfyer dhe na e rrëfyen edhe sot dëshmitarët e atyre ngjarjeve, të burgosurit e mbijetuar të masakrës në burgun e Dubravës, që fatmirësisht janë shumë“, deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit shtoi se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të ndalen duke kërkuar drejtësi për këtë masakër.

“Serbia e bëri Burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik të të burgosurve politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në Burgun e Dubravës në mes 19-24 majit”.

“Ardhja jonë këtu është një vëmendje e obliguar dhe një kujdes i domosdoshëm për trashëgimin e luftës 1997-1999, për drejtësinë dhe përpara historisë”, tha ai.

I pranishëm ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli i cili edhe një herë tregoi për nismën e tij që Gjykata Speciale të trajtojë masakrën e Dubravës.

“Kam nisur një kërkesë ndaj Dhomave të Specializuara me të dhëna të sakta se çka ka ndodhur këtu. Pjesën e parë e kam nisur në bashkëpunim me juristë të çmuar të fushës të cilët e kanë arsyetuar në detaje arsyeshmërinë se Gjykata Speciale ka juridiksion për të trajtuar edhe masakrën e Dubravës”, deklaroi Dugolli.

24 vjet më parë në Burgun e Dubravës ndodhi njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviç me ç’rast në periudhën 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore