Lajme

Kurti më në fund e “përmend”: Ishte Thaçi që lexoi deklaratën e pavarësisë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në ceremoninë shtetërore të organizuar për nder të 16-të vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kësaj radhe – pas shmangieve të vazhdueshme – e ka përmendur faktin se ishte Hashim Thaçi, ai që e lexoi deklaratën e pavarësisë.

Kurti e njohu këtë fakt historik derisa po fliste për ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt, 2008).

“Më 17 shkurt të vitit 2008, deputetit e Kuvendit si përfaqësues të popullit, të zgjedhur në zgjedhje të lira dhe demokratike, e shpallën shtet të pavarur dhe sovran dhe demokratik”, deklaroi Kurti.

“Me votat dhe nënshkrimet e 109 vetave, të cilët firmosën deklaratën e pavarësisë, dokumentit themeltar të shtetit tonë”.

“Atë ditë mbi pergamenën e kuruar ku ishte dorëshkruar teksti i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, krahas 100 deputetëve, u nënshkruan edhe 3 krerët e shtetit të saposhpallur të pavarur, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi – i cili edhe e lexoi atë në kuvend”, shtoi.

Mirëpo, ndryshe nga kjo deklaratë veproi vetëm një ditë më parë.

Në urimin e tij për 16 vjetorin mëvetësisë së vendit, kryeministri Albin Kurti, e postoi një video në profilin e tij në Facebook, ku ishin paraqitur disa nga ngjarjet kryesore që kanë qenë faktorë deçizivë në rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, por ajo çka binte në sy në këtë video prej 88 sekondash, është shmangia që Kurti ia ka bërë momentit të shpalljes së pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte lexuar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë – moment ky që konsiderohet si e arritura më e madhe e shqiptarëve pas 28 nëntorit të vitit 1912 – shpallja e mëvetësisë së Shqipërisë.

Hashim Thaçi duke lexuar deklaratën e pavarësisë

Përkundër se është data më e rëndësishme historike për Kosovën, kryeministri i saj e kishte injoruar tërësisht.

Kurti uron pavarësinë duke shmangur vetë momentin e shpalljes së pavarësisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore