Lajme

Kurti uron pavarësinë duke shmangur vetë momentin e shpalljes së pavarësisë


Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Në urimin e tij për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, e ka postuar një video në profilin e tij në Facebook, ku janë paraqitur disa nga ngjarjet kryesore që kanë qenë faktorë deçizivë në rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, por ajo çka bie në sy në këtë video prej 88 sekondash, është shmangia që Kurti ia ka bërë momentit të shpalljes së pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte lexuar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë – moment ky që konsiderohet si e arritura më e madhe e shqiptarëve pas 28 nëntorit të vitit 1912 – shpallja e mëvetësisë së Shqipërisë.

Hashim Thaçi duke lexuar deklaraten e pavaresise

Përkundër se është data më e rëndësishme historike për Kosovën, kryeministri i saj e ka injoruar tërësisht.

Momentin e shpalljes së pavarësisë e anashkaloi, ndërsa një nga ngjarjet më të rëndësishme të fund viteve të 90-ta (protesta e studentëve më 1 tetor, 1997), e cila kishte sensibilizuar në masë të madhe opinionin ndërkombëtar dhe jo vetëm për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë – ku Kurti kishte qenë një nga protagonistët e saj – u përkujdes që të jetë pjesë e videos së tij.

Në videon e publikuar nga Kurti, është paraqitur Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, protestat e shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta e fushata e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe.

Po ashtu, aty mund të hasen pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Policisë së Kosovës, kompleksi memorial i Familjes Jashari, bukuritë natyrore të Kosovës dhe këngëtaret shqiptare me famë botërore si Dua Lipa e Rita Ora.

Madje, në këtë pamje shfaqen edhe lojtarët me origjinë shqiptarë që luajnë për kombëtaren e Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, përkatësisht golat e tyre kundër Serbisë, por edhe sukseset e xhudistëve kosovarë, objektet sakrale dhe liberalizimi i vizave që hyri në fuqi në fillim të këtij viti, por mungon momenti më i rëndësishme i asaj që vetë Kurti e përkujtoi – momenti i shpalljes së pavarësisë nga ish-kryeministri Thaçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore