Lajme

Kurti, Maqedonisë së Veriut: Qëndroni sa më afër Kosovës, e sa më larg Serbisë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar nga Komuna e Tetovës për nder të vizitës së tij ka thënë se shtetet e perëndimit i sjellin siguri rajonit, siç pohoi ai, në një kohë kur “imperializmi rus” e riktheu luftën në Evropë, duke iu referuar agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.

“Aleanca e NATO-s, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjellë mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializmi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë evropian”, tha ai.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar bëri thirrje që Maqedonia e Veriut duhet të jetë më afër Kosovës, dhe sa më larg Serbisë, për të cilën potencoi se nuk po distancohet nga ish-presidenti fashist serb, Sllobodan Millosheviç.

“Maqedonia e Veriut sa më afër Kosovës, Shqipërisë e Bullgarisë, e sa më larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviç-i dhe as nga [Vladimir] Putin-i, aq më afër do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni”, theksoi Kurti, duke shtuar se “për këtë ne do ta ndihmojmë e do ta përkrahim”.

Tutje, Kurti bëri thirrje sërish për ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës Tetovë-Prizren, duke thënë se “aksi rrugor tashmë është marrëveshje mes dy qeverive tona, e kemi nënshkruar marrëveshjen me Zoran Zaevin e kemi vazhduar me (Dimitar) Kovaçevskin”.

Tuneli që e lidh Prizrenin me Tetovën, tregoi ai, “përfshin tunel prej 6.4 kilometrave dhe nga 15 kilometra nga Prizreni edhe Tetova që do të kushtojë rreth 200 milionë euro, ndërkaq 3/4 e këtyre mjeteve shkojnë për tunelin”, andaj sipas tij çdo vonesë është e papranueshme.

“Nuk është kosto e lartë, ndërkaq përfitimi është i jashtëzakonshëm. Andaj vonesat për këtë aks infrastrukturor janë të paarsyeshme dhe janë të dëmshme e unë po kërkoj ndihmën e gjithë juve dhe secilit prej ju që jeni këtu e që po na ndjekin, tash ose më vonë, që bashkërisht të mobilizohemi e të aktivizohemi që të mos humbet asnjë ditë pa punuar për këtë aks rrugor që lidh Prizrenin dhe Tetovën”, deklaroi Kurti.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, fillimisht ka vizituar Komunën e Çairit.

Aty ai është pritur nga Kryetari i kësaj Komune, Visar Ganiu, nga kryetari i Lëvizjes Demokratike – e formuar së voni – Izet Mexhiti, nga Kryetari i Komunës së Tetovës, njëherit lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, si dhe nga kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Kurti mori pjesë në inaugurimin e një rruge që tani e tutje do të mbaj emrin e veprimtarit Adem Demaçi.

Në këtë vizitë, ai nuk është takuar me partitë shqiptare të cilat janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, përkatësisht me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe liderin e Aleancës Shqiptare, Arben Taravari.

Por, mostakimi i partive shqiptare që janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, sipas profesorit universitar dhe njohësit të zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, Nuri Bexheti, është i pakuptimtë, madje sipas tij kjo nxit përçarjen e faktorit politik shqiptar atje.

Bexheti në një prononcim për Albanian Post, thotë se një vizitë e tillë në vlerësimin e tij mund të quhet vetëm “private”, pasi që pohon se “nuk është mirë të anashkalohet lidershipi që është fitues, pra Bashkimi Demokratik për Integrim”, për të cilin potencon se “është faktor stabilizues për Maqedoninë e Veriut”.

“BDI ka kohë që ka qeverisur në Maqedoninë e Veriut, dhe për më tepër e ka drejtuar vendin në agjenda evropiane”, shpjegon ai për AP.

Prandaj, pohon ai, “Kurti duke anashkaluar qeveritarët, dhe duke takuar vetëm partitë minore opozitare, apo partitë në themelim e sipër vetëm po e thellon përçarjen tek faktori politik shqiptar”.

Kurti arrin në Çair, vizita e tij konsiderohet si “përçarje e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore