Kosova

Kurti arrin në Çair, vizita e tij konsiderohet si “përçarje e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut”


Foto: Albanian Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në Komunën e Çairit – e banuar me shumicë shqiptare – në Maqedoninë e Veriut.

Aty ai është pritur nga Kryetari i kësaj Komune, Visar Ganiu, nga kryetari i Lëvizjes Demokratike – e formuar së voni – Izet Mexhiti, nga Kryetari i Komunës së Tetovës, njëherit lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, si dhe nga kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Kurti po merr pjesë në inaugurimin e rrugës që do të mbaj emrin e veprimtarit Adem Demaçi.

Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar nga komuna e Çairit, Kurti ka përmendur kohën kur Demaçi ishte arrestuar pas tërmetit në Shkup, kjo si “masë mbrojtëse” për shkak të vizitës që në atë kohë e bënin në kryeqytetin maqedonas, diktatori i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, dhe ai i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke thënë se emërtimi i kësaj rruge është “akt këmbëngulje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”.

“Me 22 gusht, 1963, Shkupin e goditur nga tërmeti kishin ardhur ta vizitonin së bashku dy liderë diktatorë, Josip Broz Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Hrushovi i Bashkimit Sovjetik, në kuadër të përgatitjeve për vizitën e tyre, me frikën se ajo mund të prishej, autoritetet jugosllave të kohës, aparati shtetëror represiv i së cilës udhëhiqej nga Aleksandër Rankoviç, ishin kujdesur që paraprakisht ta burgosnin Adem Demaçin”.

“Shtypësit dhe mohuesit e lirisë nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim një emër të përveçëm njeriut, emrin e Adem Demaçit. 60 vjet më pas, në Maqedoni ka ende rrugë edhe shkolla me emrin ‘Josip Broz Tito’. Emërtimi i rrugës me emrin ‘Adem Demaçi’ është edhe një akt këmbëngulje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, deklaroi Kurti.

Përveç Çairit, kryeministri Kurti do ta vizitojë edhe Komunën e Tetovës, me ç’rast në sheshin kryesor do të mbahet një koncert për nder të vizitës së tij, ku do të performojë rock grupi i njohur “Elita 5”.

Në këtë vizitë, ai nuk do të takohet me partitë shqiptare të cilat janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, përkatësisht me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe liderin e Aleancës Shqiptare, Arben Taravari.

Por, mostakimi i partive shqiptare që janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, sipas profesorit universitar dhe njohësit të zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, Nuri Bexheti, është i pakuptimtë, madje sipas tij kjo nxit përçarjen e faktorit politik shqiptar atje.

Bexheti në një prononcim për Albanian Post, thotë se një vizitë e tillë në vlerësimin e tij mund të quhet vetëm “private”, pasi që pohon se “nuk është mirë të anashkalohet lidershipi që është fitues, pra Bashkimi Demokratik për Integrim”, për të cilin potencon se “është faktor stabilizues për Maqedoninë e Veriut”.

“BDI ka kohë që ka qeverisur në Maqedoninë e Veriut, dhe për më tepër e ka drejtuar vendin në agjenda evropiane”, shpjegon ai për AP.

Prandaj, pohon ai, “Kurti duke anashkaluar qeveritarët, dhe duke takuar vetëm partitë minore opozitare, apo partitë në themelim e sipër vetëm po e thellon përçarjen tek faktori politik shqiptar”.

“Ky nuk është aspak mesazh i mirë nga Kurti, me gjithë dëshirën e tij për të bërë ndonjë projekt të madh siç është puna tunelit (Tetovë-Prizren)”.

“Tuneli nuk bëhet me parti të vogla”, insiston ai, duke shtuar se “tunelet bëhen me vullnet të fuqishëm ndërshtetërore, Kosovë-Maqedoni rasti konkret me një suport të fuqishëm dakordimi të fondeve të Bashkimit Evropian, dhe me një miratim te faktorëve tjerë evropian”.

Por, ndërhyrja e Kurtit në Maqedoninë e Veriut nuk është diçka e paparë, pasi që profesori bënë një analogji me ndërhyrjen që kreu i ekzekutivit kosovar e kishte bërë në Shqipëri, ku nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Kurti kur fitoi zgjedhjet në Kosovë, deshi që ta bëjë agjendën e tij politike edhe në Shqipëri, siç e dini të përzgjedhurit ne Kurtit në Shqipëri fituan 0.01 për qind”, theksoi ai, madje duke shtuar se në komunat e Jugut: “Kardhiç, Maliq, Mallakastër, Gjirokastër, doli 0 me xhufkë”.

Ndërkaq, historiani Bexheti beson se “mos takimi i (Arben) Taravarit dhe (Ali) Ahmetit që janë faktorë stabilizues në Maqedoni dhe takimi i partive të vogla – që janë duke e bërë agjendën e opozitës maqedonase, që kanë agjendë jo evropiane – vetëm dëm i bënë faktorit politik shqiptar atje, dhe mbi të gjitha e ndan hendekun mbarëshqiptar, i acaron raportet shqiptaro-shqiptare”.

Sipas tij, “Kurti është duke e acaruar skenën politike shqiptare, nuk është duke e unifikuar, nuk është mirë kjo, jam mese i sigurt për këtë”.

“Koha do të tregojë që kjo vizitë është e dështuar, assesi nuk është një mesazh i mirë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore