Kosova

Kurti: Kur po ndodh një krim po duhet të ngrihet shoqëria që të kemi një vendim meritor – vettingu është zgjidhja


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Fjalimin hyrës në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur duke e kritikuar sistemin e Drejtësisë për dënimet që shqipton ndaj personave që kryejnë krime.

Kritikat e tij kanë ardhur si pasojë e vrasjeve të fundit që kanë ndodhur në javën e fundit, njëra në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë e tjetra në komunën e Klinës, ku dy persona që ishin të përfshirë vazhdojnë të jenë në arrati.

Ai deklaroi se Kosova, vazhdon të ketë ngecje në sistemin e Drejtësisë kjo e dëshmuar edhe përmes raporteve të institucioneve të vendit dhe ato ndërkombëtare.

“Janë të shumta rastet kur si pasojë e mos-veprimit të sistemit të Drejtësisë persona të ndryshme me vepra të shumtë penal lëvizin lirshëm, qoftë të liruar nga organet apo edhe të pa ndjekur fare penalisht dhe të cilët rrezikojnë dhe marrin jetën e qytetarëve tanë”.

“Edhe raportet e ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo-efikase dhe e ngadalë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore”.

Ai tutje ka përmendur edhe rastet ku nga dënimet me burgim të përjetshëm, ato zvogëlohen nga vetë Gjykatat.

“Nuk mungojnë edhe rastet ekstreme kur nga dënimi me burgim të përjetshëm instanca e fundit Gjykata Supreme, kishte liruar plotësisht nga akuza të pandehurin në një proces maratonik të gjykuara dhe të rigjykuar”.

“Në shumë raste kur ndodh një dënim po duhet të ngritët shoqëria në mënyrë që të kemi vendim meritor nga gjykata”.

Ndërsa, ka përmendur rastin ku Dardan Krivaqës, i është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm, të premtën.

Sipas tij, këtë dënim e ka kërkuar populli në mënyrë të vazhdueshme prandaj edhe Gjykata ka dalur me “vendim meritor”.

“Shembull është rasti i fundit me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm të vrasjes së të ndjerës, Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. Është dashur që një publik ta dënoj publikisht krimin në mënyrë që Gjykata të nxjerr një vendim meritor”.

Ai ka shtuar se, “reforma është domosdoshmëri e Vettingu është zgjidhje”.

Më 5 gusht, pas përplasjeve fizike dhe të shtënave me armë zjarri një person ku humbur jetën, kurse kanë mbetur të plagosur shtatë persona, në një nga lokalet më të famshme të kryeqytetit të Kosovës “Bon Vivant”.

Njëri nga të dyshuarit për përfshirje në incident është mësuar të jetë i kërkuar edhe nga FBI-ja.

I njohur me pseudonimin “Duka”, Dukagjin Nikollaj kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh.

Këtë të hënë, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit tre të dyshuarve, Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakutit, për rastin e përleshjes me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant”.

Kurse me 7 gusht edhe një person ka vdekur në Klinë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në lokalin më të famshëm në këtë qytet “Coyote”, teksa janë publikuar pamjet kur i dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes me armë në dorë.

I dyshuari sipas organeve të rendit është Tush Frroku, i cili është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur me pas një veturë duke u larguar në drejtim të fshatit Gurrakoc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore