Lajme

E konfirmon policia: 7 të lënduar, disa me armë zjarri, nga përplasja në “Bon Vivant”


Pas përplasjeve fizike dhe të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur shtatë persona në orët e vona të së premtes në Prishtinë, në një nga lokalet më të famshme të kryeqytetit të Kosovës “Bon Vivant”.

Sipas mediave të pranishme në vendin e ngjarjes në mesin e të lënduarve ishte një vajzë dhe një roje sigurimi i lokalit.

Policia e Kosovës në një njoftim të shkurtër për rastin, ka konfirmuar plagosjet për të cilat shkruan se nuk janë të gjitha nga plumbat e armëve, por ka edhe të tjerë që për shkak të rrëmujës së shkaktuar janë lënduar me mjete të tjera të qelqit.

Sipas burimeve të Albanian Post brenda QKUK-së një prej të plagosurve është në gjendje më kritike.

Raporti i parë i policisë për rastin shaplos se “aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm”.

Për shkak se hetimet po vazhdojnë, akoma nuk janë bërë të qarta motivet e rastit.

Është raportuar po ashtu se edhe i arrestuari po pranon tretman mjekësor për shkak të lëndimeve.

Në të njëjtin lokalë, në vitin 2014 kishte mbetur i vdekur një person.

Atëherë kishte mbetur i vdekur roja i lokalit.

Për rastin janë dënuar dy persona, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

Gërdovci, në rigjykim është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje dhe 1500 euro gjobë për armëmbajte pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi për vrasje në bashkëkryerje është dënuar me 6 vjet burgim.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore