Lajme

Kurti: Kosova po e bënë më të mirën që të kemi paqe e siguri


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti, duke folur para te pranishmeve ne Samitin e Paqes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke marrë pjesë në Samitin e Paqes që eshtë duke u mbajtur në Seul të Koresë së Jugut, ku ka thënë se “Kosova po e bënë më të mirën e saj që në njërën anë të kemi paqe dhe siguri, dhe në anën tjetër të kemi liri dhe demokraci, pa pasur nevojë që të sakrifikojmë njërën për tjetrën”.

Siç njofton zyra e kryeministrit, Kurti aty prezantoi të arriturat kryesore të qeverisjes, “me theks te zhvillimi dhe lufta kundër korrupsionit”.

“Veçoi rritjen ekonomike mesatare në dy vitet e fundit, rritjen e të hyrave tatimore, të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, dhe përparimin demokratik, si dëshmi se demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik mund të shkojnë krah për krah”, thuhet në njoftim.

Këtu kreu i ekzekutivit po merr pjesë me ftesë të Federatës së Paqes Universale (UFP).

“Sfidat Bashkëkohore të Rendit Botëror: Drejt një Kulture Botërore të Paqes” ka qenë titulli i samitit në këtë vit. Ndërsa, Kurti gjatë ditës ka qenë pjesëmarrës në dy panele diskutimi.

Në panelin e parë, të titulluar “Drejt paqes në Indo-Pacifik”, ku ndër të tjerë ishin pjesëmarrës edhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Newt Gingrich, kryeministri Kurti para të pranishmëve ka veçuar dy trende, që sipas tij po e dominojnë botën.

“Liria, paqja dhe demokracia në njërën anë, dhe invazioni, lufta dhe autokracia në anën tjetër. Trende këto që janë shpërfaqur sidomos pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë, dhe të cilat janë të pranishme edhe në rajoni indo-pacifik”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se “Kosova mbështetë zhvillimet paqësore në këtë rajon”, duke shtuar se “respektimi i integritet territorial, paqes dhe sigurisë janë vitale për paqe dhe prosperitet në botë”.

“Kosova admiron të arriturat e Koresë Jugore, Japonisë, Singaporit dhe Taivanit në fushën e digjitalizimit. Kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me shtetet tjera si Australia, Zelanda e Re, Tailanda, Malajzia e pothuajse me të gjithë Ishujt Pacifik”.

Po ashtu, kryeministri nënvizoi se “jemi të interesuar dhe të përkushtuar të punojmë në të ardhmen, mbi bazën e respektit reciprok dhe vlerave të përbashkëta, për të promovuar paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin”.

Në panelin e dytë që ishte pjesëmarrës, ku fokus ishte Evropa dhe Lindja e Mesme, para të pranishmëve Kurti shpalosi këndvështrimin e tij sa i përket zhvillimeve dhe situatës në Ballkanin Perëndimor.

“Në të kaluarën kemi parë raste të favorizimit të stabilitetit politik para reformave demokratike, gjë që si rezultat ka prodhuar autokratë që i frikësohen vetes teksa janë cinik ndaj të tjerë. Një gabim i tillë nuk duhet të përsëritet”, u shpreh ai.

Gjithashtu, kryeministri Kurti foli edhe rolin dhe qëndrimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar këtu linjëzimin e qëndrimeve dhe politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në kundërpërgjigjen e përbashkët ndaj Rusisë pas agresionit të saj mbi Ukrainën.

Po ashtu, ai aty përmendi edhe ndihmën që Kosova ka ofruar për qytetarët ukrainas, sikurse edhe për ata afganë.

“Si demokraci e re, ne e konsiderojmë obligim humanitar që t’i ndihmojnë ata që kanë më së shumti nevojë, por në të njëjtën kohë edhe detyrë ndaj partnerëve dhe aleatëve tanë që t’i ndihmojë kur ata kanë nevojë”, vlerësoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore