Lajme

Kurti: Kosova mundet edhe pa njohjen e Serbisë


Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës

“Unë do të preferoja që Serbia ta njohë Kosovën, por nëse Serbia nuk e dëshiron atë, ne duhet të vazhdojmë të jetojmë pa atë njohje”.

Kështu është deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një interviste për portalin e lajmeve me seli në Serbi, European Western Balkans (EWB).

Kryeministri Kurti, gjatë intervistës ka thënë se njohja e Kosovës nga Serbia nuk paguhet as me territor e as me asociacion.

“Do të ishte mirë nëse Serbia na njeh, por unë nuk do të paguaj për atë, as me territorin e Kosovës, as me funksionalitetin e shtetit tonë”, ka thënë Kurti për EWB.

Kurti, më tutje ka folur edhe për procesin e “Mini–Shengenit“ duke e konsideruar atë të pa vlefshme.

“Nuk e kuptoj pse na duhet “Mini-Shengen” kur kemi procesin e Berlinit, i cili tani e ka përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal. Pra, pse do të na duhej “Mini-Shengeni” nëse kemi Tregun e Përbashkët Rajonal? ”, ka deklaruar ai.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit duke mohuar të ketë thënë se ai s’do ta marrë parasysh të gjithë Marrëveshjen e Uashingtonit.

Ai e ka cilësuar pikën e fundit të Marrëveshjes së Uashingtonit, pra njohjen e Kosovës nga Izraeli si pjesën më të vlefshme të marrëveshjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore