Lajme

“Kurti ka probleme mentale, mund të ndërpriten trajnimet e ushtarëve të FSK-së nga ShBA-ja”, thonë ish-gjeneralët e FSK-së pasi Kosova u përjashtua “Defender Europe 2023”


Ish-eprori i lartë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hisen Berisha tash deputet i PDK-së, thotë se ka dyshime “në shëndetin mental” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi ky i fundit ka refuzuar ta shtensionojë situatën në Veri, për çka ShBA-ja e ka anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”.

“Kjo është tepër dëshpëruese. Kryeministri është jo vetëm i pa përgjegjshëm, por kam dyshime edhe në shëndetin e tij mental, derisa bën veprime të tilla që i dëmtojnë interesat e Kosovës”, tha Berisha për Albanian Post.

Madje ai shprehet i bindur se Kurti “po bën tradhti ndaj interesave të shtetit”.

“Veprimet në veri janë skenar që ai pastaj t’i implemenoj të gjitha marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, përfshirë edhe Zajednicën me statut të Serbisë”, shtoi Berisha.

Edhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, e cilëson “si lajm të keq” përjashtimin e Kosovës nga “Defender Europe 2023”.

“Mendoj që ShBA-të nuk është dashur që ta sanksionojnë FSK-në, por politikanët, sepse ushtria e Kosovës është duke u përgatitur edhe për nevojat të NATO-s dhe rajonit. Këtë e ka dëshmuar vazhdimisht”, theksoi ai për AP.

Gjenerali Kastrati, potencon se me largimin e Kosovës, nga “Defender Europe 2023” ka humbur edhe rajoni.

Pos kësaj, sipas Kastratit, mund të ketë edhe pasoja tjera për FSK-në.

“Mund të ndërpriten trajnimet dhe shkollimet e ushtarëve të FSK-së”, vuri në pah ai.

Çka iu tha Hovenier kosovarëve?

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier.

Ushtria e Kosovës u përjashtua nga rreshti, megjithëse ambasadori shprehu keqardhje.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, shtoi ambasadori.

Se rëndësia e “Defender Europe 2023”, ishte e shumëfishte e kishte thënë edhe shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, njëherësh edhe këshilltar i sigurisë së kryeministrit dhe këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj në një intervistë për Albanian Post.

Maqedonci, madje kishte pohuar se kjo do të ndërtonte besimin e mëtejmë të besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Intervistë me Ejup Maqedoncin: FSK-ja në Defender Europe 2023 me mbi 1 mijë trupa, do të ketë prezencë të SHBA-së, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Turqisë

“Defender Europe ’23”, ushtrimi më i madh ndërkombëtar ushtarak

Kosova ishte nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, që do të mbahet nga kjo e diele deri më 2 qershor, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve aleate.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje ushtarake për herë të parë ishte bërë në vitin 2021, ndërsa rëndësia e kësaj stërvitje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e shumëfishtë e njëra ndër to është edhe ndërtimi i mëtejmë i besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nis në Prishtinë “Defender Europe ’23”, ushtrimi më i madh ndërkombëtar ushtarak

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore