Lajme

Kurti garanton se “s’do të pranohen” propozimet që janë në “kundërshtim” me rregulloren e BQK-së


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nuk ka propozime që pranohen nga Qeveria e që janë në kundërshtim me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit.

“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara”, tha Kurti

Kur pyetet për deklarimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi të hënën se një pjesë e propozimit amerikan për çështjen e dinarit është pranuar nga Qeveria, kryeqeveritari kosovar thotë se për këtë çështje e ka dërguar në Bruksel kryenegociatorin Besnik Bislimi për të biseduar me atë të Serbisë, Petar Petkoviç.

“Por, unë gjithashtu e marr përgjegjësinë që pasojat e caktuara, të cilat mund të shkaktohen në terren, mund të jenë çështje e Qeverisë. Jo vendimi si i tillë, i cili është sovran i Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe një herë, ne vetëm bëjmë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës në terren. Nëse ka pasoja të caktuara që u referohen ministrave tanë për çështjen e dinarit. Por, unë besoj që duhet të përfundojë ky rund takimesh që të mund të flasim saktësisht”, potencoi ai.

Megjithatë, ai e pranon se ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme për çështjen e dinarit, derisa ka shtuar se “unë nuk besoj që duhet të diskutohen tash, sepse dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse ato shpalosen para kohe”.

“Ajo çfarë mund të them është që Qeveria po e bën më të mirën e mundshme, me përkushtim maksimal dhe natyrisht që këtë ne e kemi si mbështetje për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Nuk ka kurrfarë ndëshkimi për serbët. Pra, rregullorja e re nuk është ndëshkim, por është një përpjekje e radhës shumë serioze për të bërë formalizimin, legalizimin e transaksioneve financiare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore