Lajme

Kurti falënderon Mehajn, prezanton ministrin e ri të Mbrojtjes


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ish ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i emëruar, Ejup Maqedonci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar lajmin se ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka thënë se dorëheqja e tij vjen për arsye familjare.

“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”.

Ai tutje ka thënë se ministri i ri i Mbrojtjes është emëruar Ejup Maqedonci.

“Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”.

Kush është Ejup Maqedonci? 

Ejup Maqedonci, ministri i ri i Mbrojtjes ka dhënë kontributin e tij për vite me radhë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës e po ashtu edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Maqedonci, gjatë luftës në Kosovë ishte komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit.

Pas pensionimit, Mehaj i ka ndarë Maqedoncit “Medaljen e Karrierës” për kontributin e dhënë për formimin, ristrukturimin dhe modernizimin e FSK-së.

Maqedonci, në muajin maj në atë kohë shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, njëherësh edhe këshilltar i sigurisë së kryeministrit dhe këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, kishte dhënë një intervistë për Albanian Post, ku kishte treguar rëndësinë e Defender Europe 2023.

Po ashtu ai kishte sqaruar edhe ushtrimet që do të zhvillohen në gatishmërinë e FSK-së për të marrë pjesë dhe dallimet që do të jenë nga Defender 2021.

Intervistë me Ejup Maqedoncin: FSK-ja në Defender Europe 2023 me mbi 1 mijë trupa, do të ketë prezencë të SHBA-së, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Turqisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore