Lajme

Kurti e falënderon Mehajn për punën dhe shërbimin


Albin Kurti dhe Armend Mehaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar ish-ministrin e Mbrojtës, Armend Mehaj për punën dhe angazhimin e tij sa ishte ministër për më shumë se dy vite.

“Armend, në emrin tim, dhe në emrin e të gjithë Qeverisë, të faleminderit përzemërsisht për punën dhe shërbimin tënd gjatë këtyre dy vjet e pesë muajve të fundit”, tha Kurti teksa ka shpërndarë një video nga ndeja lamtumirëse për Mehajn.

“Faleminderit që, edhe pse fizikisht larg Kosovës, kurrë s’ke qenë larg me mendje e zemër. Dhe kurrë s’ke harruar se sa shumë i kemi borxh atdheut tonë, Republikës sonë”.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se Mehaj ditët e fundjavës nuk i shfrytëzonte për të pushuar, por për t’i vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilat kanë bërë sakrificën më të madhe për Kosovën e pavarur.

Pse u dorëhoq Mehaj?

Arsyetimi i Mehajt ishte se një gjë të tillë e ka bërë për shkaqe familjare, por burime të Albanian Post brenda ministrisë së Mbrojtjes bëjnë me dije se pakënaqësitë që kishte Mehaj me zhvillimet që kanë ndodhur kohëve të fundit në Kosovë e kanë shtyrë atë që ta marr një vendim të tillë.

Mehaj e kishte ofruar dorëheqjen e tij tek kryeministri Albin Kurti, pasi që Forca e Sigurisë së Kosovës ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe ‘23”, më 30 maj.

Por, kjo s’ishte arsyeja e vetme, meqë AP ka kuptuar se Mehaj ka pasur pakënaqësi me disa kontrata që janë nënshkruar në këtë dikaster.

Njëra nga to ka qenë edhe kontrata për blerjen e doneve Bayraktar TB-2, të cilët Kosova i ka blerë nga Turqia, ndërsa blerja e tyre u bë publike nga kryeministri Kurti më 16 korrik.

Ndërkaq ministër i ri Mbrojtës është caktuar Ejup Maqedonci.

Ish-ushtarakët në një përgjigje për Albanain Post patën thënë se Mehaj i ka tejkaluar pritshmëritë.

Ish-ushtarakët lavdërojnë performancën e Mehajt: I tejkaloi pritshmëritë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore