Lajme

Kurti: Digjitalizimi, mundësi për produktivitet socio-ekonomik


kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Transformimet digjitale janë shtysë e jashtëzakonshme për rritjen e produktivitetit dhe rritjen në fushën e ekonomisë.

Ndërsa një ndër objektivat parësore të programit të Qeverisë së Kosovës është digjitalizimi, kurse agjenda e re digjitale do të jetë një nga pikat kryesore të strategjisë së re kombëtare të zhvillimit, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ai këtë e ka thënë në hapje të konferencës më të madhe të rajonit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, KosICT 10 e cila mbahet në ambientet e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP).

“Ne synojmë të përdorim transformimin digjital si nxitës për të përmirësuar administratën tonë publike, sistemin tonë arsimor, sektorin shëndetësor, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes”.

Kryeministri në fjalën e tij ka treguar rreth angazhimeve të qeverisë në fushën e digjitalizimit dhe inovacionit.

“Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së këtij sektori në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për Pakon e Ringjalljes Ekonomike, të miratuar nga Qeveria kohë më parë si një masë e cila mbështet trajnimet për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe subvencionon pagat për të rinjtë që do të punësohen në këtë sektor.

Masa e ndërmarrë qeveritare synon të rrisë punësimin e të rinjve.

Gjithashtu, kjo masë ka për synim edhe adresimin e nevojave të industrisë së TIK-ut për profesionistë.

Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren nga qeveria synohet të bëhet një qendër kombëtare dhe rajonale për ndërmarrësi dhe inovacion ka thënë Kurti.

Qeveria është e gathme të bashkëpunoj ngushtë me sektorin privat dhe akademinë në arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë zhvillimin e vendit tonë, ka deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore