Kosova

Kurti: Buxheti për komunat në vitin 2024 do të jetë 742 milionë euro


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në njërin nga takimet me kryetarët e komunave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është lavdëruar me punën e Qeverisë së tij që kanë bërë ndaj komunave të Kosovës.

Sipas kreut të ekzekutivit, në dy vitet e fundit buxheti për komunat ka shkuar vetëm drejt rritjes, ndërsa vitin e ardhshëm sërish do të ketë ngritje.

“Buxheti i komunave në vitin 2021 ishte 547 milionë euro. Sivjet është 654 milionë. Vitin tjetër do të jetë 742 milionë euro apo 195 më shumë sesa ishte në vitin e parë të qeverisjes”.

“Pra mbështetja jo vetëm që nuk ka munguar, por ajo vetëm sa është shtuar”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’. 

Ai ka potencuar se zgjerimi i bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal është bërë në fushën e mjedisit.

“Në dhjetor 2021 inauguruam ngrohjen me biomasë në Komunën e Gjakovës. Ndërkaq në proces e sipër është studimi i fizibilitetit për ngrohje qendrore në gjithsej tetë komuna, në mënyrë që qytetarët të kenë ngrohje të qëndrueshme me çmim të përballueshëm”.

“Miratimi i Ligjit të Performancës do ta rrisë transparencën e komunave ndaj qytetarëve. Kurse lansimi i Platformës E-Komuna ua lehtëson qytetarëve marrjen e shërbimeve komunale”.

Ai ka pohuar se për dy vjet janë nënshkruar gjithsej 15 nisma për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkombëtar.

“Kemi mbështetur afër 150 projekte të ndryshme kapitale në komuna përmes programeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë për Zhvillimin Rajonal, mbi 1500 të rinj nga 10 komuna të ndryshme kanë përfituar nga programi “Komunat për të rinj”, dhe janë ndarë 3 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë”.

Gjatë këtij viti pushteti dhe opozita kanë pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme kjo edhe për shkak të ndalimit të hyrave vetanake nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

E po ashtu edhe për rritjen e tatimit në pronë, ku nga pushteti ishte kërkuar që komunat të falin 100 euro për secilin qytetarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore