Lajme

Kurti: Astrit Dehari u mbyt në burg ku po mbahej padrejtësisht


Në shtatë vjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njeherit edhe kryetari i LV-së, në mbledhjen e partisë të mbajtur të dielën, ka thënë se Dehari ishte mbytur në burgun e Prizrenit.

“Sot është data 5 nëntor dhe në po vijmë këtu pasi ishim në homazhe për aktivistin tonë të paharruar, Astrit Deharin, i cili u mbyt ne burg, ku po mbahej padrejtësisht, për arsye politike 7 vjet më parë”, tha Kurti.

“Vrasja e qindra idealistëve në burgjet e Kosovës dhe jashtë saj, para luftës apo në fushëbeteja gjatë luftës solli rendin e tyre që e ka emrin liri. Ndërkaq, vrasja e Mon Balajt, Arben Xheladinit dhe Astrit Deharit pas luftës, i shton lirisë sonë edhe një rend edhe më të lartë, atë të demokracisë e drejtësisë. Kurrë nuk duhet harruar se pas sakrificën sublime përballë padrejtësisë, nuk vjen drejtësia”, theksoi ai.

Kreu i LV-së ka shtuar se fakti se Kosova ka djem e vajza aktiviste e aktivistë, shoqe e shokë të Astritit, “na jep siguri se drejtësinë do ta kemi”, derisa është shprehur i bindur që “ajo mund të vonojë e mund të pengohet nga jashtë e nga brenda sistemit, por nuk do të harrojë e nuk do të harrohet”.

“Astriti sot i mungon Lëvizjes si një aktivist i palodhshëm dhe i patrembur që ka qenë, por ai i mungon edhe Kosovës sepse sot do të ishte një mjek i ri shumë i përgatitur në spitalet tona dhe në politikëbërjen për shëndetësinë në Kosovë”, potencoi Kurti.

Para mbledhjes, Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, me anëtarë të kryesisë së Lëvizjes, ministra, deputetë, aktivistë, vizituan familjen Dehari e më pas bashkë me ta dhe shoqëri të gjerë bënë homazhe duke vendosur lule te varri i Astrit Deharit.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore