Zgjedhjet në Shqipëri

Kuqezi në shesh, ja si do të jetë përqafimi i fitores së socialistëve


Sheshi “Skënderbej” po përgatitet për takimin e fitores së Partisë Socialiste, e cila ka arritur të sigurojë 74 mandate, duke konfirmuar rezultatin e vitit 2017.

Sërish, socialistët do të drejtojnë vendin të vetëm, pa pasur nevojë për koalicion. Kjo, në fakt, ka qenë një kërkesë e kahershme e kryeministrit Edi Rama. Nëse nuk do të fitonte i vetëm zgjedhjet, ai deklaroi se do të dilte nga skena politike shqiptare.

Pamja e veçantë e zgjedhur nga socialistët për të festuar fitoren ndërkaq, do të jetë ajo e ngjyrave të flamurit kombëtar – Kuqezi.

Një ndër thirrjet kryesore të Ramës në fushatë, ka qenë pikërisht bashkimi përtej politikës i shqiptarëve.

Një shtrirje dore për bashkëpunim ndaj opozitës është theksuar herë pas here jo vetëm nga Rama, por edhe nga eksponentë të tjerë të PS-së.

Piedestali ndërkaq, do të jetë lulja e trëndafilit – e pranishme gjatë gjithë fushatës zgjedhore të PS-së.

“Kush të dojë të na bashkohet për përqafimin e fitores”, shkruante më herët kryeministri në Facebook.

Një përqafim fitoreje, i cili me sa duket, do të jetë një përqafim ndaj gjithë shqiptarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore