Shqipëria

Kuota 2%, “jo e pamundur” për Shqipërinë në NATO


“Nuk do ta rrisim asnjë qindarkë më shumë buxhetin për mbrojtjen”.

Ishte kjo deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, disa ditë më parë, teksa flitej nëse duhet një shtim i shpenzimeve për mbrojtjen përballë konfliktit Ukrainë-Rusi.

Sipas rregullave të anëtarësimit me të drejta të plota tek Organizata e Atlantikut të Veriut (NATO), çdo shtet anëtar i NATO-s duhet të dedikojë pjesë të buxhetit për mbrojtjen.

Angazhim i përbashkët në Samitin e Wells-it për të gjithë vendet anëtare është që, deri në vitin 2024, të gjitha buxhetet kombëtare të vendeve anëtare të kapin shifrën 2% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).

Kështu edhe Shqipëria, që prej vitit 2009 pjesë e NATO-s, një pjesë të buxhetit e kalon për mbrojtjen. Por, këtë vit, vendi ynë ka vënë në dispozicion 1.47% të PBB-së.

Sipas ekspertit të sigurisë, Ilirjan Cukaj, kuota 2% është e lartë, por “jo e pamundur për Shqipërinë”.

Në një prononcim për Albanian Post, ai thotë se diçka e tillë nuk është për t’u shqetësuar, se “2% nuk është përmbushur nga shteti shqiptar, por edhe nga shumë vende të tjera të aleancës që kanë kapacitete më të mëdha se Shqipëria”.

Sakaq, vetëm pesë prej 28 vendeve anëtare e kanë plotësuar kuotën, si SHBA-të, Greqia, Polonia, Estonia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Më tej, thotë Cukaj, duhet pasur parasysh se, veç kuotës që Shqipëria e ka të detyrueshme për të kontribuar në buxhetin ushtarak të NATO-s, ka për detyrim të forcojë mbrojtjen e sigurisë së brendshme, duke investuar për qëllime ushtarake, të modernizimit të ushtrisë me armë e logjistikë bashkëkohore.

Megjithatë, Shqipëria është në kuota të ulëta, që shkon në 1.2% të PBB-së, thotë eksperti.

“Nisur nga fakti se shumë vende anëtare nuk e përmbushin detyrimin prej 2%, ekspertët e fushave të sigurisë mendojnë se targeti është problematik. NATO është e shqetësuar, pasi jo gjithmonë shpenzimet shkojnë në projektet e duhura, prandaj kërkon orientim strategjik të shpenzimeve”.

Një shkak që ndikon negativisht, sipas Cukajt, është se NATO nuk zbaton ndonjë penalitet ndaj vendeve anëtare që s’i përmbushin detyrimet prej 2% të PBB-së.

Ndër të tjera, eksperti thekson se NATO ka kohë që kërkon shpenzime më të mëdha.

“Duke parë se shumë vende anëtare nuk plotësojnë detyrimet, barra ju bie disa shteteve, kështu SHBA si kontribuuesja më e madhe po ju bën presion shteteve të tjera me 3.8% të PBB-së”.

Zhvillimet e fundit – konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës – ka tronditur rëndë sigurinë dhe paqen në botë, tregon eksperti.

“Rrëzimi i përhapjes së konflikteve dhe synimet e Rusisë për të rikthyer influencën e saj në vendet e ish-bllokut sovjetik, kushtëzon fuqizimin e Aleancës dhe rritjen e fuqisë së saj ushtarake për të përballuar ndonjë agresion të mundshëm rus ndaj vendeve të aleancës”.

“Vendet e rajonit”, bën me dije Cukaj, “po blejnë armatime e po rrisin buxhetin e tyre të mbrojtjes.

Për sa më sipër, jo vetëm për të rritur shkallën e sigurisë, “po edhe ndonjë agresion në përmbushje të qëllimeve të hershme”.

“Mosnjohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, si dhe aleanca që ka me Rusinë, mund të sjellë ndonjë sulm ushtarak të saj ndaj Kosovës. Nëse kjo ndodh, Shqipëria përfshihet në mënyrë të pashmangshme nga kjo luftë”.

Në mbyllje, Çukaj, thekson se politikat dhe strategjia e mbrojtjes duhet parë me përparësi nga shteti shqiptar për të parë mundësitë e rritjes së buxhetit për mbrojtjen.

“Në një politikë financiare më të balancuar shteti shqiptar mund ta avancojë kuotën për mbrojtjen, shifra prej 2% e PBB do të ishte e mundshme”.

 

Në vijim, duke u bazuar te deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, Shqipëria pretendon të kapë shifrën 1.75%.

Ndërsa, sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, ka bërë thirrje për një rritje të shpenzimeve për Forcat e Armatosura të Britanisë, në përgjigje të kërcënimit nga Rusia.

Shifrat e publikuara nga NATO këtë javë sugjerojnë se shpenzimet e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar si një përqindje e prodhimit ekonomik (PBB), në fakt, kanë rënë për të dytin vit.

Britania e Madhe, sa i përket 2022-shit, parashikon të shpenzojë 2.12% të PBB-së për mbrojtjen. këtë vit.

Ky vlerësim është mbi objektivin e NATO-s prej 2%, por në rënie nga 2.26% në 2021 dhe 2.3 në 2020-n.

Në terma absolutë, Britania e Madhe është ende shpenzuesi i dytë më i madh sa i përket mbrojtjes, pas SHBA-ve, që shpenzon shumë më tepër.

NATO thotë se nëntë anëtarë të aleancës: Kroacia, Estonia, Greqia, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia, MB dhe SHBA kanë arritur ose tejkaluar objektivin prej 2% të PBB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore